Ylli Ndroqi dhe gruaja e tij konsuj nderi të Meksikës e Kosovës

Nga Exit News
Ylli Ndroqi dhe gruaja e tij konsuj nderi të Meksikës e Kosovës

Ylli Ndroqi, pronari i televizionit Ora News, pasuria e së cili u sekuestrua në 3 gusht, përveç biznesit, ka qenë i përfshirë dhe në fushën diplomatike.

Prej vitit 2012, ai është konsulli i nderit të Meksikës në Shqipëri.

Sipas listës zyrtare të Ministrisë së Jashtme, Ndroqi rezulton, deri në fund të vitit 2018, si konsull nderi, por burime të ndryshme kanë deklaruar se ai mund të mos e mbajë më këtë titull.

Ndërsa Mimoza Ndroqi, bashkëshortja e tij, është konsullja e nderit të Kosovës në Vlorë. Ajo u emërua në vitin 2018 nga qeveria e Kosovës për një mandat 4-vjeçar.

Në prill 2019, zëvendministri i jashtëm Cakaj urdhëroi heqjen e targat diplomatike konsujve të nderit në Shqipëri – pasja e targave të tilla ndalonin policinë që të ushtrojë kontroll. Por burime për Exit News treguan se Ndroqi i mbante ende makinat e tij, tashmë të sekuestruara, me targa diplomatike.

Sipas informacioneve online, Ylli Ndroqi ka nisur karrierën si biznesmen në vitin 1991, me një kompani në fushën e import-eksportit, distribucionit, tregtisë me shumicë, etj.

Më pas, në vitin 2007, Ndroqi bleu televizionin Ora News dhe pak vite më vonë, dhe televizionin TV Channel 1. Në vitin 2015, Yldon Group mori në pronësi një minierë Kromi në Martanesh. Ndërsa në vitin 2019, kompania Albania Bay Marina, 50 për qind e aksioneve të cilave janë në pronësi të Ndroqit, fitoi kontratën koncesionare për krijimin e një porti jahtesh në Durrës.

Ndërsa Mimoza Ndroqi është pronare e 40 për qind të aksioneve të kompanisë ORA, pjesë e së cilës është dhe televizioni Ora News.

Po ashtu ajo është pronare 100 për qind e kompanisë YMR, e themeluar në vitin 2018, me objekt tregtinë e barnave, medikamenteve dhe paisjeve elektromjeksore e laboratorike.

Ylli Ndroqi u ndalua mëngjesin e së hënës nga forcat speciale pranë zonës së TEG-ut, në Tiranë.

Sipas njoftimit, SPAK ka dyshime se Ndroqi ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale në Turqi, Itali e Shqipëri, dhe se pasuria e tij në Shqipëri është vënë me të ardhura të përfituara nga aktiviteti krimal.

Ndërsa Gjykata Speciale Antikorrupsionit ka kërkuar sekuestrimin e pasurive në emër të Ndroqit ku përfshihen: aksionet në kompanitë Ora, Yldon, REN-DON, Ecogades Landon Balcan, Albania Bay Marina, apartamente në Tiranë e Durrës, 5 makina, disa sipërfaqe tokash, 100 mijë metër katrorë sipërfaqe pylli në Lanabregas, etj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>