Ambasadorja e SHBA Yuri Kim deklaroi të premten se shqetësimi kryesor i SHBA-së për Shqipërinë është korrupsioni.
Kim ishte në Forumin Ekonomik të Tiranës ku gjatë fjalës së saj foli mbi pikëpamjet për Shqipërinë dhe zhvillimet në vend.
“Shqetësimi kryesor i SHBA mbetet korrupsioni, si në gjyqësor dhe në politikë prandaj edhe u iniciua Reforma në Drejtësi”, tha Kim.
Për reformën në drejtësi ambasadorja tha se “ka filluar të japë fryte dhe me Gjykata të pastra Shqipëria do të ketë më shumë investime të huaja më të mëdha, më shumë vende pune dhe drejtësi të paanshme”.
Për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ambasadorja tha se “një rajon më i fortë i Ballkanit Perëndimor do të thotë një Europë më e fortë dhe një partneritet më i fortë transatlantik”.
“Një vend ku integrimi më i madh ekonomik dhe lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe personave do t’u mundësojë njerëzve, industrive dhe vendeve të kenë begati, stabilitet dhe mundësi më të mëdha”, tha ambasadorja Yuri Kim.
Ajo shprehur mbështetjen e SHBA për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.
“Shtetet e Bashkuara duan të punojnë me të gjitha palët për të siguruar që secili vend të maksimizojë përfitimet nga integrimi më i madh”, tha Yuri Kim.
Ajo tha se për të përmbushur potencialin e tyre, vendet e rajonit duhet të bëjnë më shumë sesa një angazhim publik për rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin rajonal.
“Për Shqipërinë, kjo do të thotë që duhet të bëhet më shumë brenda vendit për të forcuar institucionet dhe ekonominë e Shqipërisë. Korrupsioni mbetet një shqetësim kryesor i Shteteve të Bashkuara si në gjyqësor ashtu edhe në politikë”, tha ambasadorja.