“Bashkimi Evropian nuk na duhet nëse çmimi për këtë të ishte heqja dorë nga gjuha dhe identiteti maqedonas, pasi do të bëhemi sikur pluhuri i zhdukur në ajër dhe s’do të ketë kush të hyjë në Bashkimin Evropian”. Kështu ka deklaruar kryeministri maqedonas, Zoran Zaev duke komentuar deklaratën e komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, të martën në Shkup se nisja e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në varet nga marrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, shkruan REL.
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të BE-së, Oliver Varhelyi nuk ka përjashtuar mundësinë për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për hapjen e bisedimeve.
Komisioneri u shpreh se Maqedonia e Veriut duhet të zgjidhë problemin me Bullgarinë.
Bullgaria, në nëntor të vitit 2020 ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas pas vitit 1945, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti, para kësaj periudhe, kanë pasur “rrënjë bullgare”.