Zbulohet se kush e ka drejtuar Misionin EURALIUS. Kjo shpjegon politizimin e tij.

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Zbulohet se kush e ka drejtuar Misionin EURALIUS. Kjo shpjegon politizimin e tij.

Dje, ne raportuam se si EURALIUS dhe Komisioni Evropian kanë refuzuar në mënyrë të vazhdueshme t’i japin Exit.al informacione në lidhje me mënyrën si është marrë vendimi për “opinionin ligjor” të hartuar në dhjetor 2017, për zgjedhjen antikushtetuese të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Ky opinion ligjor i hapi rrugën krizës së tanishme kushtetuese dhe kapjes politike të sistemit të prokurorisë nga shumica socialiste—pikërisht e kundërta e asaj çfarë misioni EURALIUS IV kishte për detyrë të përmbushte në Shqipëri.

Komisioni Evropian, duke u justifikuar me të drejtat e “pronësisë intelektuale” dhe “interesit tregtar”, na dha vetëm Raportin Përfundimtar, i cili mbulon periudhën 1 shtator 2014 deri më 31 Maj 2017, por lë jashtë muajt e fundit të misionit EURALIUS IV.

Sidoqoftë, si gjithmonë, Komisioni Europian ka probleme në përcaktimin edhe të standardeve të tij, duke qënë se dy raporte që ne kërkuam dhe nuk na u dhanë, pikërisht Raportin Fillestar i projektit EURALIUS IV dhe Raportin Përfundimtar që mbulon periudhën 1 qershor 2017 deri më 28 shkurt 2018, si dhe dy raportet e ndërmjetme të progresit, ndërkohë janë bërë publike në faqen në rrjet të EURALIUS.

Ajo çfarë nuk është bërë ende publike, sidoqoftë, është Raporti Përfundimtar, që mbulon periudhën 1 shtator 2014 deri më 31 maj 2017, të cilin Komisioni Evropian na e dha në bazë të kërkesës sonë bazuar në të drejtën për lirinë e informacionit.

Pra, ajo çfarë quhet “pronësi intelektuale” nga Komisioni është e publikuar për të gjithë online nga EURALIUS, dhe ajo çfarë EURALIUS nuk e publikon online na dërgohet me email. Është e vështirë të kuptosh nëse nuk kanë mundur të koordinohen apo janë thjesht të paaftë.

Veçanërisht botimi online i Raportit Fillestar është i çuditshëm, sepse Komisioni Evropian na bëri zbor për të mos na dhënë këtë raport duke na thënë se:

“Raportet fillestare përmbajnë informacion të brendshëm mbi planin e punës për periudhën pasuese (listën e aktiviteteve, rezultatet e pritshme dhe treguesit objektivë, të matshëm dhe të verifikueshëm të arritjeve (treguesit SMART/CREAM/RACER). …[K]ëto raporte (p.sh. raportet e përparimit) përveç të tjerave i referohen zbatimit të projektit të përfituesit dhe përmbajnë informacion të zgjeruar mbi metodologjinë dhe aktivitetet e detajuara, afatet kohore dhe modalitete të tjera operacionale të cilat u parashtruan fillimisht në projekt-propozim dhe prandaj përbëjnë informacion të brendshëm të konsorciumit.”

Me të vërtetë, Raporti Fillestar hedh dritë mbi personelin drejtues të EURALUS, i cili, pavarësisht se është paraqitur si një mision i ndihmës teknike për drejtësi që drejtohet nga një konsorcium teknik profesional, rezulton në fakt se është një institucion tërësisht i politizuar.

Në Raportin Përfundimtar (Shtator 2014-31 Maj 2017) thuhet:

“Kështu, EURALIUS ka luajtur një rol kritik në të gjitha fazat e punës së reformës në bazë të të gjitha kërkesave përkatëse të planit të pranimit të BE-së. Me miratim të Komitetit Drejtuese dhe të EUD-së [Delegacionit të BE-së], EURALIUS i ka kushtuar burime dhe përpjekje të mëdha të projektit reformës në drejtësi, gjatë gjithë periudhës së misionit të tij. […] Me të vërtetë, EURALIUS i zbatoi çdonjërin prej rreth 70 aktivitete që ju caktuan atij nga Delegacioni i BE-së dhe Komiteti Drejtues.”

Sidoqoftë, raporti nuk jep asnjë informacion se cilët janë anëtarët e këtij “Komiteti Drejtues”—çfarë të kujton rastin e Bordit të Menaxhimit të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Edhe dokumentat e tjera që kemi marrë nga Komisioni Evropian, përfshi kontrata e EURALIUS IV, i kanë emrat e anëtarëve të mbuluara me të zezë kudo dhe në çdo rast.

Sidoqoftë, Raporti Fillestar na jep një pamje të qartë se nga cilët është drejtuar EURALIUS prej vitit 2014.

Mes anëtarëve të tij fillestarë janë Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, ish-Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, ish-kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe Ministri i tanishëm i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i akuzuar së fundmi për mbrojtjen e të vëllait një narkotrafikant i dënuar në Itali, si dhe Maksim Haxhian, Kryetar i Dhomës së Avokatëve, njëkohësisht avokati i ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i akuzuar për pjesmarrje në një grup të organizuar kriminal, dhe i Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja, që kaloi vetingun në mënyrë të dyshimtë.

Dhe, gjëja që dallon më shumë, si vëzhgues të Komitetit Drejtues janë, ndër të tjerë, pikërisht Bashkim Dedja dhe Saimir Tahiri. Duhet theksuar se Komiteti Drejtues nuk ka asnjë anëtar nga opozita.

Pra, këta janë njerëzit të cilët në mënyrë të vazhdueshme janë mbuluar nga Komisioni Evropian, i cili dëshiron të fshehë realitetin se një projekt i financuar nga taksat e qytetarëve europianë me qëllim transformimin e sistemit shqiptar të drejtësisë është në fakt “i drejtuar” nga disa prej personave më të korruptuar, si dhe elementë kriminalë në politikën shqiptare.

Në fakt, Komiteti Drejtues ka patur ndikim të madh në mënyrën si EURALIUS ka zhvilluar aktivitetin e tij, që tani shpjegon edhe “opinonin ligjor” të shkruar në dhjetor 2017.

Këto njerëz në Komitetin Drejtues thjesht e kanë urdhëruar EURALIUS ta shkruajë opinionin. Pra, avokati i Saimir Tahirit ka mbikqyrur ekspertët që kanë shkruar opinonin ligjor, i cili mundësoi emërimin e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme, e cila do të shqyrtojë çështjen kundër Tahirit.

Pra, në total, ndërsa ne po vendosim dhe lidhim bashkë të gjitha provat e dokumentuara, arsyeja pse Reforma në Drejtësi ka shkatërruar tërësisht çdo mundësi për patur një sistem të pavarur drejtësie po bëhet gjithnjë e më e qartë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>