Gjatë një takimi në Shkodër ditën e dielë, Zëvendës-Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton tha se, pavarësisht se ka pasur probleme me blerjen e votave në zgjedhjet e vitit 2017, “kjo nuk e ndikoi rezultatin e zgjedhjeve”.
“A ka pasur porbleme me blerjen e votave? Po! A mund ta kenë ndryshuar [këto probleme] rezultatin e zgjedhjeve” Jo! A ka pasur vetëm një parti me të tilla problem? Jo!Votuesit kanë pasur mundësinë të shprehin zgjedhjen e tyre, sepse e kanë pasur vetë në dorë. Të ashtuquajtuarat skandale këtu në Shqipëri nuk janë unike [për këtë vend]. Ato janë të njëjta në Evropën Perëndimore, në SHBA etj. Kur shoh diçka të keqe në Shqipëri, mund të them se trefishin e saj e shoh në Britaninë e Madhe.”
Komentet e egzagjeruara të Wilton-it vijnë ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale, paçka se asnjë nga rekomandimet e mëparshme të OSBE-ODIHR-it në lidhje me reformën elektorale nuk është zbatuar. Reforma elektorale është një ndër prioritetet për hapjen e negociatave të anëtarësimit midis Shqipërisë dhe BE-së.
Gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, sipas vetë qeverisë, blerja e votave ishte e përhapur dhe e lidhur me grupe me aktivitete kriminale. Vëzhgues të pavarur konstatuan më shumë se 100 raste të blerjes së votës, ndërsa vetë OSBE-ja rekomandoi sërish marrjen e masave kundër këtij problemi, i cili pasqyrohet në të gjitha raportet e saj. Madje, OSBE-ja solli në vëmendje edhe faktin se rastet e blerjes së votës kishin mbetur të pandëshkuara edhe kur fajtorët ishin kapur.
Së fundmi, përgjimet e prokurorisë treguan se Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka bashkëpunuar me grupin kriminal Avdylaj për të vjedhur votat.
Komentet e Wilton-it vijnë në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po e humbet me shpejtësi besueshmërinë në Shqipëri, pasi po vazhdon të mbështesë qeverinë e Kryeministrit Rama dhe po e minimizon rëndësinë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, korrupsionit shumë të madh të peërhapur kudo dhe braktisjen e vendit nga shqiptarët.