Zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini deklaroi të hënën se mund të ketë një kufizim të orës policore për shkak të numrit të lartë të të infektuarve.
Në një intervistë për News 24, Tomini u shpreh se infektimi i lartë ka ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave kundër Covid-19.
Pyetjes nëse vendi do të shkojë në karantinë të plotë, Tomini iu përgjigj se është masa e fundit në rast ku masat e tjera nuk japin efekt.
Megjithatë, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria nuk do të marrë asnjë masë të re kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit.
Strategjia e qeverisë për ditët në vazhdim do të jetë rritje e gjobave dhe kontrolleve në rrugë dhe në biznese.
Aktualisht në vend është në fuqi shtetrrethimi pas orës 22:00, mbajtja e maskës në ambjentet e brendshme dhe të jashtme, si dhe gjoba prej 1 milionë lek për bizneset që thyejnë këto masa.
Javën e fundit në vend u regjistruan mbi 1000 raste të infektuara në vend, duke shënuar shifra rekord që prej nisjes së pandemisë.