
Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA-ve Stephen Biegun ka deklaruar, të premten, se i takon vetëm qytetarëve të Bjellorusisë të vendosin se çfarë do të ndodhë në vendin e tyre.
Pas një takimi me lideren e opozitës bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya në Lituani, Biegun deklaroi se SHBA-të vetëm mund të mbështesin Bjellorusinë, por nuk mund të marrin vendime për të:
“Shtetet e Bashkuara nuk mund dhe nuk do të vendosin rrjedhën e ngjarjeve në Bjellorusi. Kjo është e drejta e popullit bjellorus.
Këndvështrimi ynë është se gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të mbështesim popullin bjellorusis, por në fund të fundit varet nga ata që të përcaktojnë të ardhmen e tyre dhe ne do të respektojmë atë.”
Biegun vlerësoi lideren e opozitës bjelloruse, e cila për shkak të trazirave, është larguar në Lituani:
“Pata shansin të takohem me zonjën Tikhanovskaya; ajo është një person shumë mbresëlënës dhe e kuptoj pse është kaq popullore në vendin e saj.
Qëllimi i takimit ishte të dëgjoja, të dëgjonit se çfarë mendimesh kanë qytetarët bjellorus dhe të kuptoja se çfarë po bëjnë ata për të fituar të drejtën e vetëvendosjes.”
Ndërkohë në Vienë, OSBE-ja po zhvillon një takim special për të diskutuar mbi mundësitë e nisjes së një dialogu mes Lukashenkos dhe opozitës, për t’i dhënë zgjidhje krizës poltike në Bjellorusi.