
Zëvëndëspresidenti i Donald Trumpit, Mike Pence do të marrë pjesë në ceremoninë e Inagurimit ku do të bëhet betimi i presidentit të zgjedhur Joe Biden, në 20 janar – megjithesë Trump nuk do të jetë i pranishëm.
Lajmi për pjesëmarrjen e tij është botuar në disa media amerikane.
Pence, i njohur si një prej besnikëve të Trumpit, u kritikua nga presidenti për rolin e tij në numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor në Kongres në 6 janar. Ai bashkë me familje e tij, ishte një nga njerëzit e bllokuar brenda Kapitolit, kur mbështetësit e Trump sulmuan me dhunë ndërtesën dhe u futën brenda.
Shumë prej mbështetësve të Trumpit thërrisnin ‘Të varet Pence!’, ndërsa Trump nuk mori asnjë masë për t’i ofruar siguri zëvendësit të tij.
Të premten, Trump njoftoi se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e 20 janarit.
Tradicionalisht në ceremoninë e Inagurimit të presidentit të ri, marrin pjesë të gjithë ish-presidentët që janë ende gjallë – si simbol i transferimit paqësor të pushtetit.