Zgjedhë apo Zgjedhje

Zgjedhë apo Zgjedhje

Nesër, më 20 Prill, do të mbahen zgjedhjet për drejtuesit e Universitetit të Tiranës, rektorin, dekanët dhe drejtuesit e departamenteve.

Zgjedhjet supozojnë përballjen e alternativave ideore për drejtimin e institucioneve, por këto zgjedhje universitare kanë shërbyer më shumë për të vënë në pah mungesën e ideve për Universitetin. Fushatat zgjedhore të kandidatëve kanë qenë minimale, duke përfshirë një numër shumë të vogël takimesh të mbyllura me profesorë dhe studentë, pa përballje në debate publike. Pra, platformat e kandidatëve, edhe kur kanë ekzistuar, nuk janë paraqitur gjerësisht me studentët dhe profesorët. Nga ana tjetër, veprimtaria e studentëve dhe profesorëve të cilët po kërkojnë mbështetjen e votuesve universitarë nuk njihet nga shumica e studentëve, duke i bërë kandidatët më shumë individë anonimë sesa figura publike të respektuara. Në fakt, fushata zgjedhore ka degraduar në atë pikë sa i vetmi lajm i bujshëm për të ardhmen e universiteteve u bë kërcënimi me jetë i njërit prej kandidatëve për Rektor.

Studentët dhe profesorët po përballen përsëri me faktin se universiteti është dëshpërimisht i zbrazur prej tyre. Problematikat e jetës universitare, si mungesa e financimit shtetëror, mungesa e investimeve infrastrukturore, rritja e tarifave studimore, mungesa e informacionit për shpenzimet e buxhetit të universiteteve, mungesa e organizimeve publike studentore, degradimi i përgatitjes shkencore dhe pedagogjike të profesoratit, si dhe korrupsioni i këtyre të fundit nuk janë trajtuar fare, ose janë përmendur në mënyrë të cekët gjatë këtyre zgjedhjeve. Nga kjo çarje mes universitarëve dhe universitetit e vetmja palë përfituese janë partitë politike, të cilat në vend të përfaqësojnë vullnetin politik të shqiptarëve në parlament, po vijnë për t’u përfaqësuar si organizime private në universitet.

Universiteti është krijuar nga njerëzimi si banesa specifike e të vërtetave shkencore dhe shoqërore, ndërsa sot Universiteti ynë nuk lidhet me jetën reale dhe publike të studentëve apo shoqërisë, gjë që e dëshmojnë mungesa e anketimeve, studimeve dhe kërkimeve të mirëfillta shkencore. Universiteti është vendi publik ku njerëzit vendosen në shërbim të të vërtetave, dhe jo të vërtetat në shërbim të interesave private të njerëzve që i drejtojnë universitetet.

Nëse ka diçka ndaj të cilës universiteti është në shërbim, ajo është e vërteta, pra të vërtetat. Çarja aktuale e universitetit prej të vërtetave mundet të qepet nga marrëdhënia mes studenvetëve dhe profesorëve, prandaj është detyra e tyre ta bëjnë këtë ribashkim. Të vërtetat janë shumë të brishta për të dalë në pah vetë. Koha i mbulon edhe më shumë. Prandaj ato kanë nevojë për studentë dhe profesorë militantë në shërbimin e tyre. “Intelekti është përdorimi publik i arsyes”, thotë Kanti, ndërsa intelektuali përdoruesi publik i saj.

Në kushtet kur e drejta e votës së studentit përbën vetëm 10 për qind të rëndësisë së rezultateve përfundimtare të garuesve, lind pyetja: Sa e rëndësishme është në këtë institucion publik e drejta e vendimmarrjes së shumicës që e banon atë Universitet? Anasjelltas, sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për studentët për nga vlerat apo ndryshimet që sjellin?

Studentët, me 10 për qind të garancisë së votës që u jepet, kanë tre mundësi: të votojnë gjithsesi, të bojkotojnë, ose të ushtrojnë të drejtën e votës por duke e nxjerrë atë të pavlefshme. Të votojnë një prej kandidatëve, do të ishte riprodhim i gjendjes aktuale duke u ankuar në përjetësi. Të bojkotojnë, do të thotë të heqin dorë nga të drejtat e tyre, nga ku vetëm ushtrimi i këtyre të drejtave mund të legjitimojë kërkesat e tyre. Bojkotimi, në këtë pikë, do të ishte i barazvlefshëm me votimin e njërit prej kandidatëve, pra do të riprodhonte përsëri të njëjtën situatë, për sa kohë mungesa e organizimeve publike studentore nuk arrin të garantojë një bojkot në masë të këtyre zgjedhjeve, për shkak të kapjes së Universitetit nga partitë politike.

Të ushtrojnë të drejtën e votës duke e bërë atë të pavlefshme, do të ishte një zgjidhje e sinqertë për të thënë se alternativat zgjedhore janë alternativa për përfaqësimin e partive në universitet dhe jo të universitarëve. Kjo mund t’u shërbejë universitarëve vetëm për të votuar mungesën e alternativave në zgjedhje. Vota e pavlefshme do të ishte zgjedhje për t’ia rikthyer të vërtetën universitetit, edhe pse një e vërtetë e dhimbshme kjo, që tashmë ai është bërë një hiç për universitarët dhe gjithçka për partitë politike.

 

Elona Krraba, Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Elsa Paja, Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Evi Veliu, Fakulteti i Gazetarisë dhe Komunikimit

Gent Amzai, Fakulteti i Shkencave Sociale

Kristiana Vila, Fakulteti i Shkencave Sociale

Matilda Gjini, Fakulteti i Shkencave Sociale

Megi Mustafaraj, Fakulteti i Shkencave Sociale

Natasha Paja, Fakulteti i Shkencave të Natyrës

Pavjo Gjini, Fakulteti i Shkencave Sociale

Ridian Bici, Fakulteti i Shkencave Sociale

Stefani Totokoci, Fakulteti i Shkencave të Natyrës

 

 

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>