Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka akuzuar qeverinë se ka braktisur qytetarët dhe ka paralajmëruar një ushtri me kandidatë perfektë nga listat e opozitës në zgjedhje.
Bizneset dhe studentët nuk kanë ndjerë praninë e shtetit gjatë pandemisë tha Kryemadhi gjatë një takimi në Tiranë me strukturat e LSI-së ku theksoi se sjellja e përfaqësuesve të qeverisë është arrogante dhe e papërgjegjshme.
“Shumë biznese kanë falimentuar në këtë kohë pandemie. Ekonomikisht këto biznese janë rrënuar dhe ndihma ekonomike ka qenë e pamundur. Dhe në bisedat tona me studentë, thonë se mësimi online nuk ka qenë metoda e duhur. Ajo që të bënë përshtypje është se përveç se nuk ndjen praninë e shtetit, e hanë atë tullën në lule të ballit, që shikojnë dhe atë videon se si ministrat drekojnë dhe darkojnë me oligarkët. Seç punë kanë në Dubai! Se mirë po i kuptoj Belinda Ballukun dhe Arben Ahmetajn. Ministrat drekojnë dhe darkojnë në Dubai. Nuk kuptoj Endri Fugën dhe Arbër Maznikun se çfarë bëjnë në Dubai. Kjo papërgjegjshmëri është një arrogancë.”
Kryemadhi akuzoi qeverinë edhe për përmbytjet në Laç kur tha se keqmanaxhimi i hidrocentralit të Shkopetit ka sjellë përmbytje.
“Unë dje isha në Laç. Dje isha në Laç dhe përmbytjet që kanë ndodhur atje është keqmenaxhimi i HEC-it të Shkopetit. S’e dimë se deri ku do të shkojë kjo histori, se sa të gatshëm jemi. Vaksina më e mirë ndaj kësaj është 25 prilli.”
Sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, kryetarja e LSI-së deklaroi se opozita do të jetë e unifikuar ndërsa në lista do të ketë “ushtri të përgatitura me kandidatë perfekt.”
“Opozita po shkon drejt unifikimit kundër Edi Ramës. Me ushtri të përgatitura me kandidatë perfekt.”