Zgjedhjet në Hungari, Kryeministri Orban fiton mandatin e tretë

Zgjedhjet në Hungari, Kryeministri Orban fiton mandatin e tretë

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka siguruar mandatin e tij të tretë radhazi, në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara dje.

Me rreth 98,5 për qind të votave të numëruara, Zyra Kombëtare Zgjedhore njoftoi se partia e djathtë e Orban, Fidesz ka fituar rreth 48,8 për qind të votave. Në vend të dytë renditet partia radikale nacionaliste Jobbik me vetëm 20 për qind të votave.

Me këtë fitore, bazuar në sistemin elektoral hungarez që favorizon partitë e mëdha, Orban do të ketë dy të tretat e vendeve në parlament, 134 nga 199 vende, një “super shumicë” që mund të votojë ndryshime kushtetuese e vetme.

Menjëherë pas rezultateve të para, Viktor Orban doli përpara mbështetësve dhe shpalli fitoren historike:

“Kemi fituar! Kemi shënuar fitore historike, kemi fituar një shans për të mbrojtur Hungarinë.”

Prej kohësh, Kryeministri Orban nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Bashkimin Evropian. Në vitin 2015, Orban urdhëroi ngritjen e gardhit në kufirin jugor të Hungarisë gjatë krizës së emigrantëve.  Me votimin e së dielës priten konflikte të mëtejshme midis Budapestit dhe Brukselit gjatë katër viteve të ardhshme.

Sipas mediave hungareze, për shumicën e popullsisë emigracioni shihet si një kërcënim për ekonominë dhe për identitetin kulturor të vendit.

Gjatë fushatës elektorale po ashtu, Orban ka premtuar masa kundër emigrantëve dhe mbrojtjen e qytetarëve hungarezë. Ai gjithashtu ka premtuar të ulë taksat mbi të ardhurat dhe të rrisë më tej rritjen ekonomike të vendit.

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014, partia e Orban ka fituar 5 pikë përqindje më shumë vota. Kjo rritje, sipas opinionistëve hungarezë ka ardhur si pasojë e rritjes ekonomike, kontrollin e fortë mbi median dhe përçarjeve të mëdha të partive opozitare.

Me sigurimin e mandatit të tretë, Viktor Orban është udhëheqësi më jetëgjatë i Hungarisë, që pas rënies së komunizmit në vitin 1989.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>