Partia AKP e presidentit Rexhep Tajip Erdogan po humb në zgjedhjet lokale në kryeqytetin turk Ankara, dhe rrezikon të humbasë edhe në Stamboll, qytetin më të madh të vendit. Kjo shihet si goditja e parë ndaj pushtetit 16 vjeçar të Erdoganit.
Megjithëse drejt humbjes së dy bashkive më të rëndësishme, partia AKP, në rang vendi ka fituar më shumë se 51 përqind të votive. Ky rezultat nuk është pritur mirë nga Erdogan, i cili gjatë gjithë fushatës elektorale i ka gjuajtur zgjedhjet lokale si “shumë të rëndësishme” për Turqinë dhe si një referendum për vendimet e tij.
Në Ankara, kandidati fitues është ai i propozuar nga partia kryesore e opozitës CHP, me një diferencë prej 2 pikë përqindësh me kandidatin e propozuar nga partia e Erdoganit. Kjo është fitorja e parë e CHP-së në Ankara pas 25 vitesh.
Në Stamboll, ku kandidati i propozuar nga Erdogan është ish-kryeministri Binali Yildirim, ndërsa nga opozita është Ekram Imamoglu, kanë mbetur vetëm kutitë e fundit për tu numëruar. Kandidati i opozitës ka shpallur tashmë fitoren më një diferencë të konsiderueshme, por pritet ende vendimi zyrtar.
Analistët turkë i komentuan këto zgjedhje si historike, madje po aq të rëndësishme sa ato të vitit 1994, kur Erdogan hyri në skenën politike si një ish i burgosur islamist dhe fitoi zgjedhjet lokale në Stamboll.
Nëse partia e Erdoganit humbet garën e Stambollit, do të ishte një goditje e rëndë për partinë e tij, e cila pas 17 vitesh në pushtet ka treguar një rënie në popullaritet.