Marine Le Pen, kandidatja për Presidente në Francë, dha dje dorëheqjen nga drejtimi i partisë Fronti Kombëtar për tu dedikuar tërësisht në zgjedhjet presidenciale të 7 majit.
“Sonte nuk jam më kryetare e Frontit Kombëtar, por jam kandidate presidenciale”, deklaroi Marine Le Pen gjatë një emisioni lajmesh ku ishte e ftuar.
Vendimi i saj vjen vetëm një ditë pas zhvillimit të raundit të parë të zgjedhjeve, ku Le Pen dhe kandidati i qëndrës Emmanule Macron dolën fitues për të vazhduar garën në raundin e dytë.
“Unë gjithmonë kam menduar se presidenti i republikës është presidenti i të gjithë francezëve. Kjo është arsyeja se përse mu duk kaq e rëndësishme të lija drejtimin e partisë”, u shpreh Le Pen.
Analistë të ndryshëm politikë në Francë e kanë komentuar vendimin e Le pen si akt simbolik që synon të tregojë shqetësimin e saj për vendin në tërësi dhe jo vetëm për partinë e saj. Ky vendim u duk edhe më i nevojshëm pas bashkimit të pothuaj gjith kandidatëve të tjerë që dolën nga gara presidenciale, në krah të Emmanuel Macron.
Rezultatet e sondazheve për raundin e dytë tregojnë fitoren e Macron me diferencë të madhe, 62 për qind përkundrejt 38 për qind për Marine Le Pen. Por pavarësisht sondazheve, Marine Le Pen u shpreh dje e bindur se do të fitojë dhe do të jetë presidentja e Francës për vitet e ardhshme.