
9 persona të tjerë nga 2 familjet në Shkodër rezultojnë të prekur me Covid-19.
Gazetari i Ora News Bepin Kolvata raportoi se nga 20 familjarët e testuar të premten, 9 prej tyre janë të infektuar.
Këto të dhëna të reja e çojnë në 31 numrin total të të infektuarve në Shkodër, duke shënuar një 3-fishim të numrit në 2 ditë: të enjten, më 2 prill, në Shkodër kishte vetëm 10 të prekur me Covid-19.
6 prej të infektuarve të rinj janë anëtarë të familjes së pacientit nga Dobraçi, ndërsa 3 janë të afërm të gruas nga Kirasi.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, e cila vizitoi personalisht Shkodrën, tha se të gjithë të prekurit në dy familjet janë asimptomikë dhe janë të izoluar në shtëpitë e tyre në gjendje të mirë shëndetësore.
Ajo sqaroi se rastet e Shkodrës janë zbuluar si shkak i hetimit të zinxhirit të kontakteve, ose asaj që quhet hetimi epidemiologjik i rasteve.