Senati i Shteteve të Bashkuara konfirmoi të martën emërimin e diplomates veterane, Linda Thomas-Greenfield, si ambasadore të SHBA-së në Kombet e Bashkuara, raporton Radio Evropa e Lirë.
Kandidatura e saj u votua me 78 vota pro dhe 20 vota kundra.
“Ajo do të marrë rolin e ambasadores në Kombet e Bashkuara në një kohë kur kombet e botës duhet të thellojnë bashkëpunimin e tyre në luftën kundër [sëmundjes] COVID-19 dhe në luftën kundër ndryshimit të klimës”, tha udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Shumer.
Thomas-Greenfield ka kaluar dekada në shërbimin e jashtëm, duke përfshirë pozita të ndryshme në Liberi, Zvicër dhe Pakistan.
Ajo ka qenë ambasadorja e SHBA-ve për Afrikën dhe drejtuese e Zyrës së Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit të Departamentit të Shtetit.
Thomas-Greenfield pritet të fillojë punën përpara se Shtetet e Bashkuara të marrin presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në muajin mars.
Konfirmimi i Thomas-Greenfieldit shihet si përmbushje e një zotimi të presidentit të ri amerikan, Joe Biden, për të zgjedhur një kabinet më të larmishëm.