Zhaklina Peto me COVID-19: KED nuk më ka dhënë kohë për dokumentat

Nga Exit News
Zhaklina Peto me COVID-19: KED nuk më ka dhënë kohë për dokumentat

Kandidatja për Gjykatë Kushtetuese, Zhaklina Peto thotë se nuk mund të sigurojë dokumente për mbledhjen e radhës së KED pasi është me COVID-19. Kështu ajo rrezikon të skualifikohet nga gara për herë të tretë.

Në një prononcim për ABC News, Pedagogia Zhaklina Peto thotë se zotëron dokumentet për të mbështetur kandidaturën e saj por e ka të pamundur t’i marrë pasi është me COVID-19 që prej datës 19 dhjetor.

Ajo shton se pavarësisht kësaj KED nuk i ka dhënë kohë më shumë.

Prej 19 dhjetorit jam konfirmuar si e infektuar me Covid 19 nga ISHP. Jam në karantinë. E kam të pamundur të dal nga shtëpia dhe të mbledh dokumente për t’ia dërguar KED-së. I kam njoftuar për këtë dhe ju kam kërkuar kohë. Nuk më është dhënë koha e duhur. Zotëroj dokumentacion se makina e blerë justifikohet nga të ardhurat e mia sipas të dhënave të tatimeve. Po ashtu, për pretendimin tjetër e ndërtimit të një kati pa leje, mund të siguroj dokumente se shtesa është bërë përpara se unë ta blija banesën. Por këto dokumente nuk mund t’i administroj tani që jam me Covid dhe në shtëpi”, tha kandidatja Peto.

Gjykata e Apelit Administrativ vendosi të kthejë për herë të dytë në garë kandidaten për Gjykatë Kushtetuese, Zhaklina Peton. Kandidatja Peto u ishte skualifikuar nga gara për herë të dytë me argumentin se nuk plotësonte kriteret.

Ajo kandidon përballë Sonila Bejtjas për një nga vakancat e presidentit për Gjykatën Kushtetuese.

Nëse KED nuk e kualifikon kandidaturën e saj në mbledhjen e së mërkurës, atëherë në listën që pritet t’i dërgohet Presidentit, mbetet vetëm Bejtja.

Në datë 17 dhjetor, Parlamenti miratoi Altin Binajn si anëtarin e pestë të Gjykatës Kushtetuese, pasi KED dërgoi në Kuvend vetëm kandidaturën e tij . Exit Neës ka argumentuar se ky veprim i KED është në shkelje të ligjit.

Përvec vakancës ku përballen Bejtja dhe Peto, KED pritet pritet të dërgojë në presidencë emrat e dy kandidatëve për një tjetër vakancë të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas vendimit të mbledhjes së KED-it të martën, 22 dhjetor, Aleksandër Toma dhe Përparim Kalo kandidojnë për një vend në Kushtetuese. Sërish, Exit Neës ka argumentuar se vendimi i KED-it për të hartuar një listë me vetëm dy kandidatë është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>