Sikurse u zbulua nga mediat, Zoti Veliaj është duke marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Sri Lankës me titull “Agenda 2023 për Mirëqenien Ekonomike e Kryeministrit Ranil Wickremesinghe.” Forumi i kushtohet ekskluzivisht zhvillimit ekonomik të Sri Lankës, veçanërisht programit të kryeministrit teë vendit.
Forumi është organizuar nën patronazhin e kryeministrit të Sri Lankës, me financimin e fondacioneve Soros. George Soros dhe nobelisti në ekonomi Xhozef Stiglic do të jenë dy figurat kryesore të forumit.
Në forum do të paraqitet një raport i hartuar nga Qëndra për Zhvillimin Ndërkombëtar e Universitetit të Harvardit mbi ekonominë dhe politikat ekonomike të Sri Lankës.
Forumi duket se është më shumë aktivitet për imazh dhe reklamë i kryeministrit të vendit, i cili me mbështetjen e George Soros dhe qendrës së Harvardit ka arritur të ftojë disa emra të njohur profesorësh të ekonomisë dhe ekspertë të politikave publike nga institucione akademike dhe organizata të ndryshme botërore.
Aktiviteti i Sri Lankës është i ngjashëm me një aktivitet të tillë të organizuar nga Kryeministri Rama dhe Qëndra për Zhvillim Ndërkombëtar e Harvardit në Tiranë, para më shumë se një viti. Edhe aktiviteti i Tiranës financohej nga Soros, por niveli i pjesëmarrësve në të ishte shumë më i ulët.
Qëndra për Zhvillim Ndërkombëtar e Harvardit ka prej dy vjetësh një kontratë konsulence me qeverinë shqiptare për të dhënë ndihmë teknike në hartimin e reformave të qeverisë. Kontrata financohet nga rrjeti i fondacioneve të Sorosit, por të gjitha detajet e kontratës dhe financimit janë mbajtur të fshehta nga Kryeministri Rama.
Zoti Veliaj është përfshirë në listën e folësve në një nga panelet e forumit të Sri Lankës. Pjesëmarrja e tij dhe vendi që i është dhënë është krejtësisht e pa vend pasi, përveçse një aktivitet me rëndësi vetëm lokale për Sri Lankën, Zoti Veliaj është i vetmi i ftuar në aktivitet që nuk ka staturën e përshtatshme as akademike dhe as të ekspertizës për çështjet që diskutohen në konferencë.
Është e arsyeshme të mendohet që pjesëmarrja është një favor që atij i është bërë ose nga fondacionet Soros ose konsulentët e Harvardit që kanë kontratë me qeverinë Rama. Është e natyrshme që të besohet, gjithashtu, se Zoti Veliaj ka dashur të marrë pjesë me qëllim krijimin e kontakteve apo lidhjeve personale me figurat e rëndësishme që marrin pjesë në forum.