Nisma rajonale ‘Open Balkan’ është e rrezikshme sipas ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla pasi përmes saj krijohet përshtypja se rajoni ka alternativë tjetër përveç integrimit në Bashkimin Evropian.
Gërvalla, e cila është njëkohësisht edhe zv.kryeministre e Kosovës shprehu qëndrimin e qeverisë kundër nismës gjatë një konference të përbashkët me homologun e saj në Shkup.
“Krijohet përshtypja sikur përçohet mesazhi sikur kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon drejt BE-së. Përçimi i këtij mesazhi është më i rrezikshëm se sa vetë vonesat në integrimin evropian”, tha Gërvalla.
Të enjten, liderët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje në kuadër të nismës së njohur si minishengeni ballkanik por që dje u emërtua si “Open Ballkan”.