Zv/ministrja e Arsimit: Mbi 30 shkolla nuk hapen të hënën, të tjerat janë 100 për qind të sigurta

Nga Stafi i Exit
Zv/ministrja e Arsimit: Mbi 30 shkolla nuk hapen të hënën, të tjerat janë 100 për qind të sigurta

Mbi 30 shkolla të dëmtuara nga tërmeti nuk do të hapen as nesër. Gjasat janë që ato të mbeten të mbyllura deri në janar. Kjo do të ndikojë në rreth 15 mijë nxënës, të cilët do ta zhvillojnë mësimin duke u zhvendosur në shkolla pritëse. Për shkollat e tjera, të cilat janë inspektuar qeveria siguron se janë të sigurta.

Vendimin për të mos hapur as të hënën mbi 30 shkolla të dëmtuara e njoftoi zëvendësministrja e Arsimit Lorena Haxhiu gjatë një interviste për RTV Ora. Ajo tha se “janë marrë të gjitha masat që në zonat rurale nxënësit të transportohen në shkolla të tjera” dhe se transporti “do të mbulohet nga buxheti i ministrisë”.

Zëvendësministrja tha se plani i zhvendosjes do të prekë 15 mijë nxënës, është parashikuar për “muajin dhjetor dhe janar” dhe se buxhetit të ministrisë mund t’i kushtojë 15-17 milionë lekë.

Për sa i përket shkollave që do të hapen të hënën, Zëvendësministrja Haxhiu garantoi se të janë 100% të sigurta.

“Të gjitha shkollat që do të hapen në datën 9 dhjetor janë shkolla 100% të sigurta. Vetë ministrja së bashku me ekipin që ka punuar në terren kanë arritur të mundësojnë kontrollin e imtësishëm të këtyre shkollave inspektimeve nga tre grupe”.

Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi 26 shkolla: 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Ministria vendosi ta shtynte mësimin për disa shkolla më 9 dhjetor deri sa të vendosej një zgjidhje e sigurt.

Nga shkollat e kryeqytetit, janë dëmtuar seriozisht gjimnazi Sami Frashëri dhe shkolla 9-vjeçare Emin Duraku.

Fëmijët, të cilët janë strehuar në hotele pas dëmtimit të shtëpive nga tërmeti, do të vazhdojnë mësimin nëpër ‘klasa provizore’ brenda hoteleve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>