Qeveria zvicerane dhe norvegjeze, së bashku me Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) ofruan të premten 700 mijë dollarë për blerjen e 30 respiratorëve të nevojshëm për pacientët e sëmurë me Covid-19 në Shqipëri.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit përmes internetit.
Në total bëhet fjalë për një kontribut prej rreth 700 mijë dollarësh ( 330 mijë qeveria zvicerane, 300 mijë qeveria norvegjeze dhe 100 mijë UNDP-ja).
“Këto makina bëjnë diferencën midis jetës dhe vdekjes për shumë njerëz. Për ne është kënaqësi që mundëm t’i përgjigjemi shpejt kërkesës tuaj dhe të kontribuojmë së bashku për blerjen e 30 respiratorëve shtesë për spitalet e Shqipërisë”, – tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.
Ambasadori i Norvegjisë për Shqipërinë, Jens Erik Grondahl u shpreh se “në një kohë shumë të vështirë, e cila po i rëndon shumë shërbimet e shëndetit publik, është e nevojshme të tregojmë solidaritet dhe të bëjmë cfarë kemi mundësi për të ndihmuar njëri tjetrin”.
Përfaqësuesja e Përhershme në Shqipëri e UNDP, Limya Eltayeb deklaroi mbështetje të Shqipërisë me nisma të ngjashme.
“Mbështetja juaj për blerjen e 30 respiratorëve është shumë e rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor publik në Shqipëri”, – theksoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Zyra për shtyp e Ministrisë së Shëndetësisë bëri me dije se 30 respiratorët pritet të vijnë në Shqipëri brenda muajit prill.
Më herët qeveria ka deklaruar blerjen edhe të 54 respiratorëve të tjerë, për të siguruar kapacitetet në luftën kundër COVID-19.
Rasti i parë i konfirmuar i COVID-19 u regjistrua në Shqipëri më 9 mars dhe deri tani janë 416 raste të konfirmuara.