Kompani e lidhur me vëllain e Kryeministrit Rama do të monitorojë për 30 vitet e ardhshme biznesin e lojërave të fatit. Koncesioni i monitroimti elektronik do t’i mbetet kompanisë MC Networking shpk, në pronësi të Endri Meksit.
Meksi është ortak dhe bashkëadministrator me vëllain e Kryeministrit Rama, Olsi Rama tek shoqëria PEGASUS COMMUNICATIONS shpk.
Gjykata Kushtetuese hodhi sot poshtë ankimin e Shoqatës së Shoqërive të Basteve Sportive se koncesioni dublon rolin e Autoritetit të Monitorimit të Lojërave të Fatit (AMLF) dhe se tarifa e caktuar për t’u paguar është e lartë. Ky vendim i hap rrugë fillimit të aktivitetit koncesionar nga MC Networking.
Kompania MC Networking u bë e njohur për publikun gjatë tentativës së qeverisë për të dhënë me koncesion monitorimin elektronik te TVSH-së. Ajo ishte partneri lokal i kompanisë kineze EM.POS Limited, e cila paraqiti kërkesë të pakërkuar për marrjen me koncesion të mbledhjes së TVSH-së, koncesion që u anullua pasi u bë publike lidhja e pronarëve të kompanisë me familjen Rama.
Historia e tenderit
Qeveria Rama në vitin 2015, pas një aksioni për mbylljen e lojërave të fatit të palicencuara, miratoi ligjin e ri të lojërave të fatit, sipas të cilit biznesi i kumarit do të monitorohet nga një kompani private.
Në bazë të nenit 48/2, të ligjit “Për lojërat e fatit” qeveria vendosi ndërtimin e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) të lojërave të fatit, i cili ka për detyrë monitorimin on-line të të dhënave që do të përdoren nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF).
Në shator të vitit 2016, qeveria miratoi VKM-në me numër 647 ku përcaktoi kriteret e përzgjedhjes së operatorit që të do të ndërtojë dhe menaxhojë këtë sistem.
Sipas VKM-së, kompania private do të marrë vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit për shfrytëzimin dhe mirë-mbajtjen e sistemit.
Tenderi u hap në dhjetor 2016 dhe kompanitë e interesuara kishin kohë deri më 12 janar për të aplikuar. Gjatë kësaj përiudhe asnjë kopmani nuk paraqiti oferta, ndaj Ministria e Financave rihapi tenderin sërish në 23 janar 2017.
Në tender morën pjesë dy kompani: konsorciumi “MC Networking” shpk dhe “Admiral Sportwetten “GmbH & ATSI Spolka Akcyjna”, si dhe konsorciumi “Qualysoft” GmbH & “Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk & “Communication Progress” shpk.
Në mars Ministria shpalli fitues bashkimin e kompanive “MC Networking” shpk dhe “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna”. Kompania fituese do të menaxhojë për një periudhë 30 vjeçare monitorimin e biznesit të lojërave të fatit.
Tafirat që do të paguhen nga bizneset e lojërave të fatit
Qeveria Rama miratoi me një vendim të veçantë tarifat që bizneset e lojërave të fatit, të ndara në tre kategori, do t’i paguajnë koncesionarit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit.
Kategoria e parë që do të paguajë janë bizneset në fushën e lotove dhe basteve sportive. Tarifa ditore për çdo pikë bastesh është 0,70 euro, ose 21 euro në muaj. Kjo e çon totalin që do të paguajë një pikë basti në 252 euro në vit.
Sipas të dhënave nga Shoqata e Shoqërive, aktualisht janë rreth 3 mijë pika bastesh sportive, pra koncesionari mbledh nga kjo kategori rreth 756 mijë euro në vit.
Në kategorinë e dytë janë kazinotë elekronike, që do të paguajnë 1,25 euro në ditë për çdo aparaturë apo makinë loje, rreth 37,5 euro në muaj. Në total në vit, për çdo makinë loje një biznes do të paguajë 450 euro.
Sipas të dhënave zyrtare deri në vitin 2013, në vend janë të regjistruara 2200 aparate apo makina lojrash. Pra koncesionari mbledh nga kjo kategori rreth 990 mijë euro në vit.
Kategoria e tretë që do të paguajë janë llotaritë kombëtare, që duhet të paguajnë 1 euro në ditë, pra 30 euro në muaj për çdo njësi ku tregtohen lojërat e tyre. Deri më tani janë rreth 425 njësi në gjithë vendin që tregtojnë lojëra të lotarisë kombëtare, që e çon në 153 mijë euro shumën që do t’i paguhet koncesionarit.