5 dhjetor 2018, 0ra 7:00 më gjeti duke vrapuar në drejtim të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit për të parë se cfarë po ndodhte me grevën studentore. Një ditë më parë, studentët kishin paralajmëruar bojkot të mësimit deri të premten si protestë ndaj tarifave të kripura për provimet e mbartura të miratuara nga Këshilli i Ministrave pak muaj më parë. Oborri brenda fakultetit po mbushej. Më trimat ishin vendosur para derës për të bllokuar hyrjen për pedagogët dhe për studentët që donin të hynin në mësim. Në sytë e tyre dallohej revolta dhe guximi. Këtu kuptova se ajo ditë nuk do të ishte një ditë e zakonshme. Lajmet për vendimin e Kryeministrit më kishin ardhur në mënyrë të vagullt dhe reagimin e atëbotshëm e pashë si një shpresë se ne studentët, do të ndërgjegjësoheshim më në fund rreth detyrës historike që kriza e viteve të fundit na kishte vënë përpara.
Ora 8:00. Në këtë orë fillonte leksioni në Fakultetin e Drejtësisë, fakulteti ku unë studioj. Teksa mora drejtimin për nga kryqëzimi i Vasil Shantos, më merr nëtelefon një miku im nga Shkencat e Natyrës. Mesa duket, fakultetit i tij po marshonte drejt Inxhinierisë së Ndërtimit për tu bashkuar e më pas për t´iu drejtuar Ministrisë së Arsimit. Në këtë moment fillova të kuptoj se studentët me të vërtetë po bashkoheshin. Nxitova drejt fakultetit të Drejtësisë ku lajmet për protestën nuk kishin mbërritur akoma. Me sa duket leksioni ishte shtyrë për në orën 9:00 dhe si gjithmonë një pjesë të studentëve i gjeje nëpër kafenetë prane Fakultetit. Mblodha rreth 10 veta që pranuan ta bojkotojnë mësimin dhe u nisëm drejt Korpusit Universitar, aty ku do mblidheshin të gjithë student nag fakulteti i Inxhinierisë dhe Arteve.
Ora 9:30. Atmosfera në platenë e Korpusit ishte e mahnitshme. Një energji e pastër buronte nga dy mijë shpirtra të mbledhura në atë vend për t´i dhënë Kryeqytetit çastet e para të lirisë. Oratorë të guximshëm merrnin megafonin dhe thoshin se kjo ditë i përngjante Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 që luftoi për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Studentët sa vinin e bëheshin më shumë. Vrasja e frikës dhe indiferencës me sa duket kishte nisur.
Ora 10:00. Turma fillon të marshojë nga sheshi Nënë Tereza në drejtim të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Thirrjet e para ishin emocionuese: Poshtë Diktatura! Gjithë populli është me ne! E duam Shqipërinë si gjithë Europa! Me c´dukej e shkuara kishtë zënë vendin e se tashmes së zymtë për t´iu treguar të gjithëve se një e ardhme më e mirë arrihej përmes reagimit dhe organizimit studentor. Djemte dhe vajzat që mbushën për pak minuta Bulevardin mezi prisnin t´iu bashkoheshin kolegëve te Ministria e Arsimit.
Kalimi te sheshi Skënderbej pati momentet e veta interesante. Duke treguar një inteligjencë kolektive të habitshme, studentët u distancuan në unison nga instalacionet e sheshit duke ju bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që t´i linin “qoftet e lalit” dhe të bashkoheshin me ta në këtë ditë historike. Ashtu sikurse 28 vite më parë, sheshi qendror i qytetit u mbush me të rinj të lodhur me propagandën dhe punën boshe të pushtetit.
Ora 10:15. Turma qëndron në hyrje të Rrugës së Durrësit. Në horizont dallohen studentët e Arkitekturës, Inxhinierisë dhe Shkencave që kanë zënë vend para Ministrisë. Thirrjet e tyre nuk dëgjohen por rruga e mbushur përplot me studentë na bën të vetëdijshëm për lëvizjen e re që po lindte. Pasi u mblodhëm të gjithë filluam marshimin. “Cohuni nga kafet”; “eja mblidhuni këtu këtu” — ishin disa nga thirrjet që iu drejtoheshin qytetareve që shijonin kafenë në atë paradite me djell dhjetori. Papritmas para nesh u shfaq një kamion që kishte bllokuar rrugën dhe nuk na lejonte të bashkoheshim me studentët e tjerë tek Ministria. Pas disa momentesh tensioni arrijmë të depërtojmë dhe bashkohemi me vëllezërit dhe motrat tona studentë. Takimi qe epik. Një vrull i jashtëzakonshëm rinor shpërtheu në gjithë Rrugën e Durrësit, teksa banorët e pallateve përreth shihnin me habi tej dritareve.
Ditët e tjera janë histori. Protesta më vonë u bë trend. Memet, rrjetet soiale por edhe disa media e kthyen Rrugën e Durrësit në qendrën e zhvillimeve politike të atyre ditëve. Ardhja në shesh tashmë bëhej për inerci dhe reagimi u bë diçka krejt e natyshme, a thua se pak ditë më parë apatia dhe indiferenca nuk zinte vend në zemrat e mendjet e çdo shqiptari. Por ne u ngritëm, të tjerat janë pa rëndësi.
Sot lëvizja hyri në muajin e saj të parë. 30 ditë pas atij 5 dhjetori e kanë transformuar protestën duke na ndryshuar rrënjësisht edhe ne. Sot protesta nuk është më një zgjedhje, por e vetmja zgjidhja në kushtet kur pushteti shfaqet i paaftë të plotësojë disa kërkesa bazike tonat. Ne nuk e kemi më luksin të rikthehemi në auditore kur shohim se gjithë populli është me ne, duke na vënë mbi supe përgjegjësi qe disa prej nesh nuk kishim menduar apo nuk do donim kurrë t´i kishin. Vullneti ynë për ta cuar përpara kauzën mbart shpresën e një populli për ta parë Shqipërinë si vendin ku fëmijët e tyre lindin për të punuar e jetuar e jo për të ikur. Sa madhështore dhe e frikshme mbështetja e një populli!