Kryeministri Edi Rama hoqi përgjegjësinë nga qeveria e tij për mungesën e drejtësisë për viktimat e 21 janarit.
Të enjten, gjatë një ceremonie në kryeministri ku i dha familjarëve të viktimave titullin ‘Dëshmorët e Atdheut’, Rama tha se qeveria nuk mund të jetë as prokuror dhe as gjykatë:
“Ata ngrenë akuzën në drejtimin tonë duke thënë që drejtësia për 21 Janarin është e papërfunduar por duke ngatërruar kohën që kemi sot dhe nuk jemi që prej 1990 kur politika, partia në qeveri mund të bëjnë atë që i takon ta bëjë drejtësia.
Parlamenti nuk bën gjyqe dhe nuk jep vendime gjyqësore. Qeveria nuk bën rolin e prokurorisë. As ministri i Drejtësisë as kryeministri nuk ngrenë akuza penale për t’ia çuar gjykatës së partisë.
Është drejtësia që i bën këto. Krejt e pavarur nga pushteti.”
Ndër vite, Rama ka premtuar se do të bëjë drejtësi për vrasjen e katër protestueve në boulevard, gjatë protestës organizuar nga ai vetë kundër qeverisë Berisha-Meta.
Në vitin 2013, drejtësia për viktimat ishte një ndër premtimet e Ramës në fushatë:
“Nuk do të ketë paqe në shpirtrat tanë, nuk do të ketë asnjë moment spostim vëmendje nga 21 Janari, sa herë që do flitet për drejtësi në këtë vend.”
Në vitin 2015, Rama shkroi në Facebook:
“Me familjarët e 21 janarit. Koha për të lëvizur me një alternativë të re të kërkimit të drejtësisë. Asgjë veç drejtësisë nuk e mbyll 21 janarin.”
Në vitin 2017, Rama premtoi se me reformën në drejtësi do të ketë drejtësi:
“Drejtësia për 21 Janarin mund të vonojë, por nuk do të harrohet dhe qeveria jonë pavarësisht se ka bërë sa të jetë e mundur për të lehtësuar jetën tuaj të përditshme do të vazhdojë të bëjë duke njohur përgjegjësinë për krimin e shtetit.”
Ndërsa sot tha se drejtësia do të vijë pasi të mbarojë vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve:
“Vetingu është filtri për të siguruar që drejtësia e re është e pastruar nga metastazat e një kanceri. Do të jetë faza tjetër, ajo e sistemit të pastruar nga kanceri që do të realizojë atë që njerëzit presin me padurim: goditjen e të gjithë atyre që morën peng drejtësinë për vite të tëra.”