Mbi 1,000 protestues u arrestuan të dielën në Bjellorusi, në fundjavën e 13-të të protestave për dorëheqjen e udhëheqësit Aleksandër Lukashenk0 dhe zgjedhje të reja presidenciale, raporton Radio Evropa e Lirë.
Grupi i të drejtave të njeriut Vyasna tha se në total, 1,024 vetë u arrestuan nga forcat e sigurisë, ndërsa të tjerë u rrahën brutalisht.
Shumica e arrestimeve u bënë në kryeqytetin Minsk. Grupi Vyasna tha se disa nga të arrestuarit u liruan më vonë.
Lukashenko mban pushtetin në Bjellorusi qysh në vitin 1994.
Ai është rizgjedhur president në muajin gusht, por, sipas opozitës dhe protestuesve, zgjedhjet janë manipuluar.
Vendet perëndimore refuzojnë ta njohin Lukashenkën si udhëheqës legjitim të Bjellorusisë dhe i kërkojnë atij ta transferojë pushtetin në mënyrë paqësore.
Lukashenko i mohoi akuzat për manipulim të votave. Mijëra njerëz u arrestuan që kur autoritetet e kanë shpallur atë fitues të zgjedhjeve.
Shumica e udhëheqësve të opozitës janë arrestuar ose detyruar të largohen nga Bjellorusia.