
Rrjeti televiziv britanik BBC publikoi, dje, një shkrim për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kjo temë është përfolur shumë kohët e fundit në Britaninë e Madhe nga ministri i drejtësisë Michael Gove, i cili e ka përdorur Shqipërinë si një shembull i keq për të bindur britanikët të votojnë pro daljes nga BE-ja.
Artikulli i BBC-së i titulluar “Shqipëria: Ne nuk duam të ngelemi jashtë BE-së” është përpjekur të tregoj dëshirën dhe gatishmërinë e shqiptarëve për të qenë pjesë e BE-së. Gazetari Andrew Hosken ka intervistuar disa përfaqësues të politikës, biznesit dhe medias, ndër të cilët Kryetarin e Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka, gazetarin Aleksandër Furxhi dhe Kryebashkiakun Erion Veliaj.
Në përgjigjen e tij, Kryebashkiaku Veliaj i ka deklaruar gazetarit se “askush nuk përfiton nga të qenit geto dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë sot një geto e rrethuar nga Bashkimi Europian.”
Mbështetësit e daljes nga BE kanë përdorur, javët e fundit, pamje fotografike që tregojnë prapambetjen e Shqipërisë për t’i treguar britanikëve se ç’mund të pësojë Britania nëse vende si Shqipëria integrohen në BE.