12 fakte për Dhjetorin 1990

Nga Neritan Sejamini
12 fakte për Dhjetorin 1990

Mbas një çerek shekulli shtrembërime e gënjeshtra nga ata që kanë dashur t’i shfrytëzojnë ngjarjet e Dhjetorit 1990 për të veshur veten me legjitimitet, merita, heroizëm e sakrifica, ne që kemi marrë pjesë në ato ngjarje duhet të fillojmë të tregojmë e të shkruajmë të vërtetat para se të harrojmë dhe të mbetemi edhe ne viktima të fallsifikimimeve historike dhe dembelizmit intelektual.

Nëse Dhjetori 1990 do të çmitizohet, ai do të hyjë në histori si ngjarja që ndau dy epoka më shumë se ngjarja që rrëzoi një regjim. Më shumë se një goditje shkatërruese ndaj regjimit komunist, Dhjetori 1990 qe momenti kur mijëra studentë u çliruan psikologjikisht e shpirtërisht dhe u bënë nxitësit e çlirimit të madh nga frika të një populli që jetonte në frikë dhe apati kishte, që kur s’mbahej mend.

Ja disa fakte të thjeshta për ato tre ditë të mëdha.

  1. Edhe pse, tashmë, njihet me emrin Lëvizja e Dhjetorit ajo nuk ishte lëvizje, por protestë që zgjati më pak se tre ditë, nga orët e fundit të datës 8 dhjetor deri në mbrëmjen e datës 11 dhjetor. Protesta filloi spontanisht dhe vazhdoi me vetëorganizim minimal, duke mos u institucionalizuar asnjëherë si lëvizje e organizuar.
  1. Gjatë tre ditëve, studentët tentuan dy herë për të vërshuar nëpër rrugët e Tiranës, por u ndaluan nga policia. Për rrjedhojë, protesta u zhvillua e gjitha në sheshin kryesor të Qytetit Studenti, sot Sheshi Demokracia. Një vend i ngritur në anë të sheshit u shndërrua në podium, nga ku u luajt me zë të lartë për herë të parë në Shqipëri muzikë e ndaluar, u mbajtën fjalime patriotike dhe u hodhën parrulla politike nga studentë, pedagogë dhe qytetarë të Tiranës. Regjimi komunist e lejoi këtë manifestim dhe asnjë forcë policore nuk hyri për asnjë çast në Qytetin Studenti.
  1. Protesta filloi të shtunën e datës 8 dhjetor në mbrëmje vonë si reagim spontan për t’u ankuar për mungesën disa ditore pothuajse totale të dritave në Qytetin Studenti. Një grup studentësh të revoltuar, kryesisht të degëve të inxhinierisë, ekonomikut dhe shkencave të natyrës, fillimisht tentuan të protestonin para drejtorisë së Qytetit Studenti, por atje nuk kishte njeri në atë orë të natës. Për këtë arsye, ky grup fillestar vendosi befas të ankohej tek i pari i vendit, Ramiz Alia, dhe për këtë qëllim filloi të lëvizte drejt rrugës dalëse të Qytetit Studenti. Nga ky çast filloi vetëdijësimi, vetëorganizimi, por edhe influencimi i studentëve nga persona jashtë rradhëve të tyre, kryesisht pedagogë dhe intelektualë të kohës. Si rezultat, shumë shpejt kërkesat e studentëve nga thjesht kërkesa ekonomike, përfshinë kërkesën për lejimin e pluralizmit partiak.
  1. Në ngjarjet e dhjetorit 1990, nuk pati pothuajse asnjë lloj ushtrimi dhune nga ana e regjimit, përjashto përdorimin e lehtë të shkopinjve të gomës për shpërndarjen e turmës së studentëve e cila tentoi dy herë të dilte në rrugët e Tiranës. Në orët e para të protestave, sigurimi i shtetit ndaloi e mori në pyetje disa studentë, të cilët u lanë të lirë pas pak orësh madje u sollën me makina në Qytetin Studenti.
  1. Protesta studentore nuk pati një lider të mirëfilltë, por më shumë një grup studentësh kurajozë dhe me karaktere të forta që u bënë përfaqësues, por edhe orientues të të gjithë studentëve. Tre njerëzit më të spikatur të saj ishin Azem Hajdari, Shenasi Rama dhe Tefalin Malshyti. Protagonizmi i tyre u shpreh në kurajon për të denoncuar hapur regjimin në fjalime të ndezura para studentëve. Roli i tyre drejtues ishte më shumë rol frymëzues, inkurajues dhe trimërues para frikës që ishte e pranishme mes të gjithë studentëve. Azem Hajdari qe më i spikaturi mes të gjithëve.
  1. Në protestat studentore të dhjetorit nuk ka patur disidentë apo antikomunistë të mirëfilltë. Pothuajse të gjithë intelektualët që ju ofruan studentëve ishin pjesë e elitës së kohës, mes tyre kishte anëtarë dhe drejtues organizatash të PPSH-së. Disa prej figurave kryesore, studentë apo intelektualë që u përfshinë në protesta dhe në temelimin e drejtimin e Partisë Demokratike ishin agjentë të sigurimit të shtetit.
  1. Sali Berisha nuk ka pasur rol në protestat studentore. Ndërsa ai erdhi në Qytetin Studenti që ditën e parë të protestave, ai u përpoq të qetësonte studentët me qëllim ndërprerjen e protestave dhe kthimin e tyre në shkollë, duke ju premtuar, në emër të Ramiz Alisë, se kërkesat e tyre ekonomike do të përmbusheshin.
  1. Edi Rama nuk ka pasur asnjë rol në protestat e dhjetorit. Ai nuk ndodhej fare në Shqipëri në atë periudhë, pasi ishte për një vizitë private në Greqi.
  1. Ramiz Alia dhe Byroja Politike vendosën lejimin e pluralizmit politik mbasditen e datës 11 dhjetor, disa orë para takimit me përfaqësuesit e studentëve. Njoftimi për lejimin e pluralizmit u bë i njohur publikisht para takimit, duke e bërë praktikisht të pavlefshëm takimin e studentëve me Ramiz Alinë.
  1. Në fund të tre ditëve të protestave, studentët u mënjanuan pothuajse të gjithë nga çdo lloj ndikimi real në zhvillimet politike që pasuan këto protesta dhe veçanërisht nga ndikimi në partinë e parë që lindi nga protestat, Partinë Demokratike. Azem Hajdari qe i vetmi student që ishte ende pjesë e drejtimit të PD-së në vitin 1992 kur PD erdhi në pushtet. Shumica e studentëve që luajtën rol të rëndësishëm në protestat e dhjetorit emigruan jashtë Shqipërisë.
  1. Protestat studentore të dhjetorit 1990 nuk qenë shkaku i rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri. Ato qenë shtysa e fundit ndaj një ngrehine të rrënuar ekonomikisht e politikisht që mezi qëndronte në këmbë dhe që ishte e destinuar të shembej shpejt.
  1. Të ashtuquajturat ideale të dhjetorit nuk kanë qenë realisht një filozofi, vizion social apo politik. Përgjithësisht mes studentëve nuk kishte as vetëdije dhe as qartësi të madhe politike apo ideologjike. Ideali i tyre qe në fakt aspiratë – aspirata për liri dhe mirëqenie e përmbledhur në parrullat e famshme: “Liri Demokraci” dhe, më pas, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>