Rasti Balili si dëshmi e rënies së shtetit dhe falimentimit të institucioneve publike

Rasti Balili si dëshmi e rënies së shtetit dhe falimentimit të institucioneve publike

Çështja e arratisjes së Klemend Balilit, akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, është prej ditësh çështja më e debatuar në publik. Por fatkeqësisht debati po kanalizohet më së shumti vetëm tek lidhjet politike të tij—nëse ai ishte njeri i Kryeministrit Rama apo kryeparlamentarit Meta.

Por, përveçse një tjetër tregues i lidhjes së ngushtë të krimit me politikën, rasti Balili dëshmon një gjë edhe më të rëndë: dështimin total të shtetit—falimentimin e të gjitha strukturave ligjzbatuese në të gjitha nivelet e pushtetit.

Aktiviteti i biznesit dhe pasuritë e pajustifikuara të Zotit Balili duhet të kishte ngjallur dyshime dhe duhet të ishin bërë objekt i ndërhyrjes së dhjetra institucioneve shtetërore, në nivelin lokal dhe qëndror. Por asnjë institucion nuk ka vepruar, duke dështuar në përmbushjen e misionit të tyre dhe mbrojtjes së interesit publik.

Më poshtë po rendisim disa nga këto institucione dhe funksionarë shtetërore që me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë lejuar, mbrojtur apo mbështetur direkt apo indirekt aktivitetin kriminal të Klemend Balilit.

  • Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto —Në vitin 2014, Klemend Balili u emërua drejtor i Drejtorisë së Transportit Rrugor në Sarandë. Në momentin e emërimit, Partia Demokratike e denoncoi atë për të shkuar kriminale, duke bërë publik arrestimin e tij në vitin 2006 për trafik droge. Por Ministri Haxhinasto nuk bëri asnjë verifikim apo reflektim për emërimin e tij.

Mbi të gjitha, Zoti Haxhinasto nuk ka shpjeguar si e ka justifikuar ai dëshirën e një biznesmeni shumë të pasur për të punuar si zyrtar publik i nivelit të ulët, madje pa patur as një kualifikim për detyrën përkatëse.

  • Institucioni i deklarimit të pasurive ILDKPKI –  Si funksionar publik, Zoti Balili ka bërë të paktën dy deklarime deri më tani, por nuk ka ngjallur asnjë dyshim tek ky institucion.
  • Policia e Sarandës – Policia nuk bëri verifikimin e akuzave të PD-së, megjithëse në arkivat e saj është dosja e arrestimit të Zotit Balili në vitin 2006 me akuzën e trafikut të drogës. Nga ana tjetër, edhe pse në territorin e saj janë pastruar para përmes ndërtimit të një resorti luksoz milona eurosh, policia e Sarandës nuk ka dyshuar apo nuk ka hetuar asnjëherë burimin e financimit.
  • Inspektoriati ndërtimor, INUK Sarandë — Në vitin 2014, Bashkia e Sarandës bëri kallëzim penal në prokurori ndaj kompanisë së Zotit Balili për punime të paligjshme për ndërtimin rezortit turistik të Zotit Balili. INUK nuk ndërhyri asnjëherë për të verifikuar ligjshmërinë e punimeve, të cilat tashmë dihen që ishin të paligjshme.
  • Prokuroria Sarandë — Nuk hetoi padinë e Bashkisë Sarandë ndaj kompanisë së Zotit Balili. Nuk nisi asnjë hetim tjetër kryesisht edhe pse ka patur tregues të shumtë për dyshime rreth aktivitetit të Zotit Balili, mbi të gjitha pastrimin e produkteve të krimit përmes ndërtimit të rezortit turistik.
  • Drejtoria e Tatimeve Sarandë — Zoti Balili arriti të ndërtonte një rezort miliona eurosh, të financuar nga trafiku i drogës, por drejtoria e tatimeve të Sarandës nuk ka gjetur asnjë shkelje në aktivitetin e tij dhe asnjë dyshim për financim të paligjshëm.
  • Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave — Është e pamundur që kjo drejtori të mos ketë patur tregues të mjaftueshëm transfertash apo veprime financiare që ngjallnin dyshime për pastrim apo qarkullim aprash të paligjshme.
  • Kryeparlamentari Ilir Meta, Ministri Arben Ahmetaj dhe ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima – Të tre morën pjesë në inagurimin e hotelit të vëllezërve Balili në Sarandë, edhe pse pjesëmarrja e tyre në një inagurim privat është e pajustifikuar. Është e pamundur që ata të mos kenë patur asnjë dyshim për burimin e parave për investimin që po inaguronin; minimalisht, ata duhet të kanë qenë të njohur me akuzat e PD-së për të shkuarën kriminale të Zotit Balili. Mund të thuhet me siguri që ata nuk kaneë treguar asnjë kujdes për standartet morale dhe etike që kërkohen prej tyre si politikanë të lartë.

Të gjitha institucionet e mësipërme duhet të analizojnë dhe nxjerrin përgjegjësitë për dështimin e tyre. Drejtuesit lokalë të policisë, prokurorisë, tatimeve, inspektoriatit ndërtimor, si dhe personat përgjegjës në Ministrinë e Transportit, Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive duhet të shkarkohen ose të japin dorëheqjen.

Kryeparlamentari Meta, Ministrat Haxhinasto dhe Ahmetaj dhe ish-deputeti Kokëdhima minimalisht duhet të kërkojnë ndjesë publike për “miqësinë” apo “nderimin” që i kanë bërë një krimineli. Nëse ata kanë qenë në dijeni të aktivitetit të tij kriminal, sikurse ka gjasa, ata duhet të japin dorëheqjen.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>