Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin e vëzhguesve të huaj nga procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, dy institicionet që do hetojnë figurën e punonjësve të sistemit të drejtësisë, të njohur si procesi i vetingut.
Ajo i ka paraqitur sot Ambasadës së SHBA-ve një kundërpropozim ndaj propozimit të fundit të qeverisë amerikane.
Në variantin fillestar të qeverisë, por edhe në variantin e modifikuar të qeverisë Amerikane të propozuar nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland, vëzhguesit ndërkombëtarë, të organizuar në një institucion të ashtuquajtur Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit, kishin një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të mësipërme (për më tepër shih këtu). Ata do të bënin kontrollin e këtyre anëtarëve, pra të kontrollorëve, dhe do të hartonin një listë me të gjitha kandidaturat që vlerësonin pozitivisht, nga e cila Kuvendi do të zgjidhte anëtarët e Komisionit dhe Kolegjit.
Propozimi i PD-së praktikisht u jep vëzhguesve ndërkombëtarë vetëm rol monitorues në procesin e vetingut të kandidatëve dhe asnjë ndikim në vendim-marrje. Nē këtë propozim, vetingu bëhet nga një komision i posaçëm parlamentar, i përbërë nga deputetë të shumicës dhe pakicës.
PD-së nuk ka dhënë shpjegime për këtë zgjedhje të saj, por është e qartë që ajo nuk mund të justifikojë atë me shqetësimin për kapjen e sistemit të drejtësisë nga Kryeministri Rama. Madje, është e vështirë të gjendet ndonjë arsye e ndershme që mund ta justifikojë.
Ky veprim i PD-së përveçse goditje për arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi, është goditje e rëndë për vetë imazhin e PD-së, pasi është e qartë se motivimi i udhëheqjes së PD-së për këtë veprim nuk duket të jetë interesi publik dhe drejtësia e pavarur.
Qëndrimi i fundit i PD-së duket se konfirmon akuzat e mëparshme që i janë bërë Kryetarit të PD-së Lulzim Basha si përgjegjës për mosarritjen e konsensusit për reformën në drejtësi.
Pengesa e re e nxjerrë nga PD ka sjellë zhgënjim për Ambasadën amerikane në Tiranë. Ambasadori amerikan Donald Lu ka reaguar publikisht duke u shprehur se “Zoti Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”.