PD hedh poshtë propozimin amerikan për reformën në drejtësi

PD hedh poshtë propozimin amerikan për reformën në drejtësi

Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin e vëzhguesve të huaj nga procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, dy institicionet që do hetojnë figurën e punonjësve të sistemit të drejtësisë, të njohur si procesi i vetingut.

Ajo i ka paraqitur sot Ambasadës së SHBA-ve një kundërpropozim ndaj propozimit të fundit të qeverisë amerikane.

Në variantin fillestar të qeverisë, por edhe në variantin e modifikuar të qeverisë Amerikane të propozuar nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland, vëzhguesit ndërkombëtarë, të organizuar në një institucion të ashtuquajtur Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit, kishin një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të mësipërme (për më tepër shih këtu). Ata do të bënin kontrollin e këtyre anëtarëve, pra të kontrollorëve, dhe do të hartonin një listë me të gjitha kandidaturat që vlerësonin pozitivisht, nga e cila Kuvendi do të zgjidhte anëtarët e Komisionit dhe Kolegjit.

Propozimi i PD-së praktikisht u jep vëzhguesve ndërkombëtarë vetëm rol monitorues në procesin e vetingut të kandidatëve dhe asnjë ndikim në vendim-marrje. Nē këtë propozim, vetingu bëhet nga një komision i posaçëm parlamentar, i përbërë nga deputetë të shumicës dhe pakicës.

PD-së nuk ka dhënë shpjegime për këtë zgjedhje të saj, por është e qartë që ajo nuk mund të justifikojë atë me shqetësimin për kapjen e sistemit të drejtësisë nga Kryeministri Rama. Madje, është e vështirë të gjendet ndonjë arsye e ndershme që mund ta justifikojë.

Ky veprim i PD-së përveçse goditje për arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi, është goditje e rëndë për vetë imazhin e PD-së, pasi është e qartë se motivimi i udhëheqjes së PD-së për këtë veprim nuk duket të jetë interesi publik dhe drejtësia e pavarur.

Qëndrimi i fundit i PD-së duket se konfirmon akuzat e mëparshme që i janë bërë Kryetarit të PD-së Lulzim Basha si përgjegjës për mosarritjen e konsensusit për reformën në drejtësi.

Pengesa e re e nxjerrë nga PD ka sjellë zhgënjim për Ambasadën amerikane në Tiranë. Ambasadori amerikan Donald Lu ka reaguar publikisht duke u shprehur se “Zoti Basha propozoi diçka që ai vetë ka pranuar se është në konflikt interesi dhe jo në përputhje me paragrafin 61 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>