Kryeministri Edi Rama akuzoi sot kryetarin e PD-së Lulzim Basha se nuk e do reformën në drejtësi dhe po tenton ta bojkotojë miratimin e saj me çdo kusht.
Zoti Rama u shpreh se refuzimi i variantit të propozuar nga qeveria amerikane tregon se Zoti Basha dhe opozita janë të frikësuar nga paanshmëria e ndërkombëtarëve.
Reagimi i Zotit Rama erdhi pas njoftimit nga disa media se opozita do të refuzojë variantin hibrid të draft reformës propozuar nga qeveria amerikane.
Ndër të tjera, në deklaratën për shtyp, Zoti Rama tha:
“Nuk më vjen i papritur ky refuzim i radhës sepse përgjatë një viti e gjysëm të procesit të hartimit të draftit të reformës në drejtësi PD i ka dhënë me të gjitha mënyrat sinjalet që nuk e do reformën në drejtësi.”
“PD është e gatshme të sakrifikojë popullin dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë për të mbrojtur të akuzuarit e saj nga një drejtësi e reformuar dhe e gatshme të përballet me kancerin e korrupsionit në nivelet më të larta.”
“[PD] e ka bojkotuar procesin për një kohë të gjatë, ka hyrë dhe dalë në proces duke futur e nxjerrë letra pa lidhje vetëm për ta ngatërruar procesin, ka baltosur ekspertët e nivelit të lartë si ka mundur dhe sa ka mundur, ku ka mundur.
“[PD] ka abuzuar pa pushim me opinionin e Komisionit të Venecias, duke u kapur fillimisht gjatë dimrit pas një paragrafi 55 dhe pastaj pas një paragrafi 88, si i mbyturi pas fijes së barit.”
“[PD] është tallur me partnerët strategjikë të Shqipërisë duke u thënë se ka vetëm një hall, si të mos e kapë Edi Rama drejtësinë dhe ky hall zgjidhet me vendet e rezervuara.”
“PD nuk e ka pasur hallin tek vendet e rezervuara, por ka rezerva për besueshmërinë, profesionalizmin dhe integritetin e partnerëve strategjikë të Shqipërisë.”
“[PD] nuk i do partnerët strategjikë të Shqipërisë apo të huajt nëpër këmbë sepse i friket paanshmërisë, profesionalizmit dhe besnikërisë së tyre ndaj ligjshmërisë në procesin e skanimit të pasurisë së tyre, vendimarrjeve dhe aftësisë të gjykatësve dhe prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.”
“E keni dëgjuar ndonjëherë PD të thotë se e ka hallin pikërisht tek humbja e kontrollit që ka mbi pengmarrësit e korruptuar të sistemit të drejtësisë? Gjykatës dhe prokurorë me të cilët ka rivrarë të vrarët në Gërdec dhe bulevard dhe e ka kthyer drejtësinë në një pazar të madh mesjetar ku të korruptuarve të saj nuk u ka hyrë deri më sot asnjë gjemb në këmbë?”
“Tani çfarë do të thotë [PD]? Mos do thotë qëAmerika dhe Europa do kapin drejtësinë e pavarur shqiptare apo do thonë se ne e duam shumë Amerikën dhe Europën, por duam më shumë Shqipërinë sovrane që nuk pranon përzierjen e të huajve në punët e veta të brendshme?”