Gjykata Administrative e Apelit vendosi vazhdimin e punimeve për ndërtimin e pesë pallateve 17 katëshe nën digën e liqenit. Sipas vendimit të gjykatës, Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit Tiranë (IKMT), i cili kishte pezulluar lejen e ndërtimit, duhet të dëmshpërblejë kompaninë e ndërtimit për shkaktim të dëmit financiar dhe moral.
Kryebashkiaku Veliaj reagoi sot kundër këtij vendim. Ai tha se do të vazhdojë procesin kundër ndërtimeve tek diga. Nga deklarata e bashkisë mësohet se dhe IKMT e ka ankimuar vendimin e në Gjykatën e Lartë.
“Fatkeqësisht, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Enkelejda Metaliaj (Softa), Kastriot Selita dhe Alkelina Gazidede, e cila më 1 korrik mori në shqyrtim çështjen e pezullimit të punimeve për ndërtimin e pallateve 17-katëshe nën Digë, legjitimoi faktin se e ka humbur besimin e një trupe gjykuese të paanshme dhe është e paaftë të japë drejtësi.” – thuhet në deklaratën e bashkisë.
Në gusht të vitit 2014, Ish kryebashkiaku Basha dha lejen për ndërtimin e një kompleksi me pesë pallate nën digën e liqenit. Qindra aktivistë në mbrojtje të mjedisit protestuan kundër këtij vendimi. Në atë kohë, Zoti Erion Veliaj, në postin e ministrit të Mirëqenies Sociale nuk reagoi për lejen e ndërtimit.
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore 2015, Zoti Veliaj deklaroi se nuk mund të premtonte pezullimin e ndërtimeve nën digë pasi do të ishin premtime populiste.
Në janar 2015, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar e shpalli lejen e ndërtimit të pavlefshme. Vendimi i INUK-ut u bazua në një raport të Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, i cili urdhëroi pezullimin e ndërtimeve sepse ato rrezikonin sigurinë e digës.