Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka pranuar në parim variantin hibrid të Zonjës Nuland për reformën në drejtësi dhe ka kërkuar dy plotësime jo thelbësore në këtë draft.
“Partia Demokratike është për miratimin e kësaj reforme. Është pro draftit kushtetues bazuar mbi propozimin hibrid me të gjitha rakordimet e mbrëmshme ,” – pohoi sot Zoti Basha në një deklaratë për shtyp.
Ai u shpreh se janë dy çështje të shtruara në çastin e fundit që duhen diskutuar për t’i dhënë zgjidhje. Por, Zoti Basha nuk ka bërë të qartë nëse do të votohet pro reformës edhe nëse për këto çështje nuk arrihet dakordësia.
“Dy çështjet e shtruara në çastin e fundit, t’i diskutojë për t’i dhënë zgjidhje,”- tha kryetari i opozitës.
Gjithashtu, për të qetësuar zërat se brenda grupin të Partisë Demokratike ka pasur debat dhe kundërshti, Zoti Basha ka theksuar në deklaratë se i gjithë grupi parlamentar mbështet reformën.
“Mbledhja e grupit ka qenë një mbledhje jashtëzakonisht produktive, ku grupi ka rrahur mendimet për situatën aktuale,”- shtoi Zoti Basha.