Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha kërkoi formimin e një qeverie teknike për ta përgatitur vendin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, paraditen e të martës, Zoti Basha u shpreh se Kryeministri Rama po bën gati vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve të rradhës, ndaj qeveria teknike është e vetmja zgjidhje.
Ndër të tjera, Zoti Basha pohoi:
- Qeveria teknike është kusht i patejkalueshëm për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
- Qeveria teknike të bëhet me kontributin e të gjitha forcave politike dhe të bazohet në një platformë evropiane, si ajo që kemi dorëzuar ne, por sigurisht jemi të hapur për kontributin e të gjitha palëve.
- Qeveria po bën gati vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve të radhës. Përballë kemi një qeveri që i ka dhunuar zgjedhjet dy herë, në Korçë dhe lokalet kombëtarë 2015. Kjo është një vijë ndarëse që nuk kalohet. Nuk do të lejojmë prishjen e procesit të ardhshëm zgjedhor.
- Qeveria teknike është proces politik dhe ka dy rrugë: e para, bashkëpunimi politik mes palëve. Unë nuk po e mbyll këtë shteg. Po kërkoj kontributin e çdo force politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme që përfshijnë qeveri teknike. Rruga tjetër është detyrimi me presion popullor.
- Kërkoj bashkëpunimin e çdo force politike, LSI, PS të cilët nuk duhet të nisen nga premisa e frikës e votës së lirë, por nga përgjegjësia për t’i dhënë shqiptarëve zgejdhje të lira dhe të ndershme.
- Qeveria teknike nuk është çështje emrash, por parimesh.
- Qeveria teknike do të ishte zgjidhja e preferuar dhe për reformën zgjedhore. Në çdo rast, nëse reforma zgjedhore ecën, që deri më tani nuk ka asnjë sinjal pozitiv, qeveria teknike është e domosdoshme për zbatimin e saj.