Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ndryshuan sot projektligjin për masat shtesë të sigurisë publike, njohur si projektligji për kamerat e sigurisë.
Në projektligjin e ri parashikohet që detyrimin për të vendosur kamera sigurie me rezolucion të lartë do ta kenë të gjitha institucionet shtetërore dhe ato biznese që do të rezultojnë me rrezikshmëri të lartë pas analizave të Policisë. Projektligji i mëparshëm detyronte të gjithë bizneset private të instalonin kamera të reja.
Projektligji, i hartuar nga Ministria e Brendshme, që prej prillit ishte kthyer në komision nga Presidenti Nishani, me argumentin se nuk sigurohet respektimi dhe mbrojtja e të dhënave personale e jetës private të qytetarëve, si dhe i jepet policisë një pushtet të pakufizuar. Opozita, gjithashtu, ka qenë kundër projektligji.
Ndryshimi i tij u arrit pas insistimit të deputetëvë të LSI-së në Komisionin e Sigurisë. Tashmë ai do të kalojë për diskutim dhe votim në seancën e ardhshme plenare.