18 të vrarë në protestat në Mianmar, OKB dhe BE përgatiten për sanksione

Nga Exit News
18 të vrarë në protestat në Mianmar, OKB dhe BE përgatiten për sanksione

Policia e Mianmarit ka goditur mbi protestuesit që kundërshtojnë grushtin ushtarak të shtetit që ndodhi pak javë më parë, raporton DW.

Ajo përdori granata marramendëse, gaz lotsjellës dhe hapi zjarr, duke vrarë të paktën 18 vetë në aksionin më të përgjakshëm të katër javëve të fundit, thanë të dielën Kombet e Bashkuara.

Zyra e OKB për të Drejtat e Njeriut tha se kishte marrë një informacion të besueshëm se “forcat policore dhe ushtarake janë përballur me demonstrata paqësore, por kanë përdorur forcë vdekjeprurëse dhe forcë më pak se vdekjeprurëse“.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi shtypjen në Mianmar, duke postuar në Twitter, “Ne qëndrojmë fort me njerëzit e guximshëm të Birmanisë dhe inkurajojmë të gjitha vendet të flasin me një zë në mbështetje të vullnetit të tyre“.

Policia hapi zjarr në qytetin jugor të Dawei, duke vrarë tre dhe duke plagosur disa të tjerë, sipas politikanit Kyaw Min Htike. Vdekjet u verifikuan nga mjekët dhe u raportuan nga mediat lokale.

Oficerët u panë duke qëlluar edhe në qytetin kryesor, Yangon.

Antonio Guterres dënoi me forcë përdorimin e forcës vdekjeprurëse kundër protestuesve dhe arrestimet arbitrare, tha zëdhënësi i tij në një deklaratë.

Sekretari i Përgjithshëm i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bashkohen dhe të dërgojnë një sinjal të qartë për ushtrinë se ajo duhet të respektojë vullnetin e popullit të Mianmarit, të shprehur përmes zgjedhjeve, dhe të ndalojë shtypjen,” shkruhet në deklaratën e OKB.

Shefi diplomatik i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dënoi gjithashtu goditjen dhe përsëriti se blloku do të vendoste sanksione në përgjigje të grushtit të shtetit.

Dhuna nuk do t’i japë legjitimitet rrëzimit të paligjshëm të qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike,” tha Borrell në një deklaratë. “Në të shtënat kundër qytetarëve të paarmatosur, forcat e sigurisë kanë treguar një mospërfillje të qartë të së drejtës ndërkombëtare dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.”

BE do të marrë masa në përgjigje të këtyre zhvillimeve së shpejti,” shtoi Borrell. Sanksionet pritet të finalizohen në ditët në vijim.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>