Kanali kryesor italian i lajmeve Rai News—pjesë e televizionit shtetëror italian, RAI—ka transmetuar, sot, një lajm-reportazh në lidhje me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit nga Shqipëria.
Reportazhi i titulluar “Pulia, bari nga fqinjët” shoqërohet me komentin:
Një lumë marijuane që gjithnjë e më shumë po kalon Adriatikun nga Shqipëria për në Pulia, për të furnizuar tregun Italian dhe për të rritur të ardhurat e krimit të organizuar. Një trupë e RAI-it në Shqipëri, në kërkimin e rrezikshëm për burimin e trafikut të drogës.
Ekipi i RAI-it ka udhëtuar në zonën e Krujës, 30 km në veri të Tiranës, të cilën ata e quajnë “zemra e prodhimit të marijuanës” që dikur ishte në Lazarat.
Gazetarët udhëtojnë me makinë deri në një zonë në afërsi të Krujës. Në momentin kur ata ndalojnë dhe zbresin nga makina, ju del përpara një person i cili fillimisht shtiret si bari por më pas pranon t’i tregojë parcelat me kanabis.
Ai u kërkon gazetarëve të fikin kamerat, duke ju treguar se lëvizjet e tyre janë nën vëzhgim nga roje në pikat e larta përqark, të cilët janë të pajisur me pushkë snajper dhe mund të qëllojnë nëse ka persona të dyshimtë.
Bariu shpjegon se ka marrë leje t’i shoqërojë gazetarët në parcelën e tij, por ata mund të përdorin vetëm kamerat e celularëve.
Udhëtimi kalon fillimisht nëpër një zonë ku policia ka asgjësuar parcela me kanabis. Shoqëruesi u tregon se asgjësimi është bërë nga forcat speciale të ardhura nga Tirana dhe jo policët e Krujës, me të cilët ai ka njohje.
Gazetarët thonë se përgjatë më shumë se një ore ngjitjeje, ata shohin marijuanë kudo, por nuk mund të ndalojnë apo filmojnë as me celular, pasi udhërrëfyesi i tyre ka leje për t’u treguar vetëm parcelën e tij.
Gazetarët përshkruajnë se parcela ka rreth 152 bimë kanabis.
Ajo është e pajisur me një sistem ujitjeje të ndërtuar me anë të bidonave që shërbejnë për depozitimin e ujit dhe një sistemi tubash plastikë që e çojnë ujin në çdo bimë.
Në një moment shoqëruesi merr një bimë kanabis dhe duke ja treguar gazetarit Italian pohon:
Kjo bën 100 euro, 60 euro për mua dhe 40 euro për policinë.
Menjëherë pas kësaj dëshmie, reportazhi jep përgjigjen e Ministrit të Brendshëm Tahiri ndaj akuzës, i cili shprehet në mënyrë retorike:
Unë do të bëja pyetjen, nëse ju në Itali gjeni 180 mijë bimë , çfarë do të thotë që policët atje janë të korruptuar?
Ministri Tahiri i referohet zbulimit të një super plantacioni të sekuestruar në zonën e Foxhias në fund të shtatorit.
“Si mundet që policia nuk e pa, kush i mbronte ata që e bënin” – vazhdon paralelizmin ironik Ministri Tahiri para kamerave të gazetarëve italianë.
Dhe gazetarët e mbyllin reportazhin me kundërpergjigje ironike me arrogancën e Ministrit Tahiri:
[Tahiri] na fton të shohim në shtëpinë tonë, por që në të vërtetë bën pjesë edhe në shtëpinë evropiane në të cilën Shqipëria ka qëllim të hyjë.