Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani foli sot përpara mediave për punën një vjeçare të tij në krye të institucionit. Zoti Manjani iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për çështjet e rëndësishme të ditës, si kultivimi i kanabisit, ligji i pronave dhe vendimarrjet e gjykatave.
Më poshtë janë disa nga pohimet kryesore të tij.
Për kultivimin e kanabisit:
Po qe e nevojshme duhet të dalë dhe ushtria. Nuk di të them është emergjencë apo jo, por nëse është e nevojshme të dalë dhe ushtria. Nga ky fenomen ose ndahemi tani që sa ka filluar ose nuk ndahemi më, ose kur të ndahemi do të jetë shumë e vonshme.
Për ligjin e pronave:
Në dritën e Komisionit të Venecias, kjo çështje ka marrë zgjidhje përfundimtare.
Nuk janë shumë, por 34 ish-pronarë kanë mbyllur dosjet njëherë e mirë me shtetin shqiptar dhe quhen të kompensuar. Aktualisht jemi në fazën e mbylljes përfundimtare të procedurave të identifikimit dhe ky proces do të vazhdojë me të njëjtin ritëm”
Ligjërisht kemi rënë dakord që deri në 10 vitet e ardhshme kjo histori të mbyllet një herë e mirë duke vënë theksin tek kthimi fizik. Aty ku prona është e lirë, duhet t’i shkojë pronarit.
Për miratin e reformës në drejtësi:
Tashmë [me miratimin e Reformës në Drejtësi] ne kemi hyrë në një rrugë që nuk kthehemi më pas.
Për çështjen e Hotel Vollgës:
Në rastin e ish-hotel Vollgës, kemi bërë një inspektim, por kjo është një çështje nën hetim nga Prokuroria. …… Ka pasur disa kontekste për vendimmarrjen e Gjykatës Administrative, të cilën ne e kemi verifikuar dhe nuk kemi gjetur ndonjë element të dukshëm për të filluar procedim disiplinor.