Pavarësisht konfliktit për muxhahedinët, Irani pranon ambasadorin shqiptar

Pavarësisht konfliktit për muxhahedinët, Irani pranon ambasadorin shqiptar

Më 31 tetor, ambasadori shqiptar i sapoemëruar jo rezident në Iran, Genti Gazheli, i paraqiti Presidentit të Iranit Hassan Rouhani kredencialet e tij.

Gent Gazheli, i cili njëkohësisht është edhe ambasadori jonë në Turqi dhe ambasador jo rezident në Azerbajxhan, nuk ka asnjë eksperiencë të mëparshme në diplomaci. Zoti Gazheli më parë ka punuar si doganier dhe Drejtor i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave. Ai u emëruar ambasador për herë të parë në shkurt të 2016.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Presidenti Rouhani theksoi rëndësinë e:

Zhvillimit të lidhjeve me vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, e cila ka rëndësi parësore për ne dhe marrëdhëniet miqësore dhe frutdhënëse të Iranit me vendet e rajonit janë në të interes të të dy rajoneve.

Republika islamike e Iranit ka vullnetin të zhvillojë dhe të thellojë lidhjet me Shqipërinë në fushën e ekonomisë, kulturës, turizmit dhe shkencës.

Marrëdhëniet ndërmjet Iranit dhe Shqipërisë kohët e fundit kanë qenë të tensionuara, që kur ish- Kryeministri Sali Berisha pranoi të strehojë anëtarët e organizatës Muxhahedinët Popullorë të Iranit (MEK)—e cila konsiderohej, deri pak vitesh, organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore. BE dhe SHBA-të e kanë hequr nga lista e organizatave terroriste respektivisht në vitin 2009 dhe 2012.

Sipas, medias Tehran Times, Rouhani rishtazi ka anuluar një udhëtim në Vienë, pasi autoritetet austriake injoruan kërkesën e Iranit për të ndaluar një tubim të MEK, i planifikuar në të njëjtën kohë me vizitën. Gjithashtu, anëtarët e organizatës MEK janë përfshirë në tubime të mëdha me opozitën iraniane në emigrim. Ato kanë protestuar kohët e fundit më 20 shtator në New York kundër qeverisë së Iranit.

mek-proteste
Opozita kryesore e Iranit merr pjesë në “NO 2 Rouhani” demostartë në NY, shtator 20, 2016.

Shumica e tyre, pas luftës së Irakut, u mirëpritën në Irak nga Sadam Huseini, i cili i ofroi organizatës një territor të pazhvilluar pranë kufirit me Iranin. MEK-u e shndërroi territorin në një qendër me infrastrukturë moderne dhe ekonomi të zhvilluar që u njoh si Qyteti Ashraf.

Kryeministri Edi Rama e respektoi paktin e qeverisë Berisha me Departamentin e Shtetit të SHBA-ve. Vendimet e qeverive Berisha dhe Rama për pranimin e muxhahedinëve nuk janë bërë asnjëherë publike, prandaj informacioni rreth tyre është minimal—nuk dihet numri total i muxhahedinëve që qeveria jonë ka pranuar të strehojë.

Sipas mediave të Iranit, vetëm këtë vit, nga janari deri në mbylljen e operacionit në shtator, u vendosën në Shqipëri mbi 2 mijë muxhahedinë, në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare.

Fillimisht, qeveria Berisha e cila pranoi në pranverën e vitit 2013 të strehonte rreth 210 muxhahedinë. Pas ardhjes në pushtet, qeveria Rama vazhdoi të pranonte grupe të tjera muxhahedinësh dhe mendohet se deri në fund të vitit 2015 në Shqipëri ishin vendosur rreth 600-750 muxhahedinë.

Në fillim të vitit 2016, qeveria shqiptare i erdhi në ndihmë Administratës Obama duke marrë përsipër pritjen në Shqipëri të të gjithë muxhahedinëve të mbetur në kamp.

Një përshkrim më i detajuar i rrjedhës së vendosjes së tyre në Shqipëri jepet këtu.

 

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>