Krerët politikë të vendit reaguan për fitoren e biznesmenit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Amerikës.
Kryeministri Edi Rama, pavarësisht qëndrimeve të mëparshme anti-Trump, me anë të një statusi në Facebook, uroi presidentin e ri.
“Populli amerikan beri sot zgjedhjen e tij. Nje mike e madhe e Shqiperise, Kosoves dhe gjithe shqiptareve, Hillary Clinton, nuk i’a doli dot te behet Presidentja e pare grua ne historine e Shteteve te Bashkuara.
Kundershtari i saj, Donald Trump, u zgjodh Presidenti i dyzetepeste i SHBA, duke e bindur Sovranin te votoje alternativen e tij, pas nje debati te pazakonshem brenda e jashte Shteteve te Bashkuara te Amerikes.
Duke i uruar Presidentit Trump fitoren dhe te gjithe suksesin qe amerikanet dhe miqte e partneret e SHBA, i urojne atij vendi te madh, kam bindjen se marredhenia jone strategjike me Shtetet e Bashkuara, do te vijoje te forcohet ne funksion te vlerave e te interesave te perbashketa, te cilat e bejne Shqiperine nje mik e aleat te çmuar te popullit e te qeverise amerikane,” shkruan Zoti Rama.
Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi:
“Ky është një mësim i çmuar demokracie që Shtetet e Bashkuara, populli amerikan i dhanë sot mbarë botës, Europës, Shqipërisë dhe shqiptarëve se vullneti i qytetarëve, vota e qytetarëve është ajo që vendos në demokraci, se fatin e njerëzve, fatin e qytetarëve në demokraci e përcaktojnë vetë qytetarët.
Dhe ky është një mesazh veçanërisht i çmuar në këto ditë të errëta për demokracinë shqiptare.
dua të përsëris vlerësimin tim, të Partisë Demokratike, të opozitës shqiptare për këtë proces të mahnitshëm demokracie. Në fund të fundit vendimi është i popullit amerikan, populli amerikan ka vendosur.
Urimet më të përzemërta Presidentit të zgjedhur Donald Trump!”
Presidenti Nishani, po ashtu, në një inntervistë për OraNews tha:
Jam i bindur se zgjedhja e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë do të sjellë një marrëdhënie më të ngushtë, më të fortë, ashtu sic e kanë cilësuar anëtarët e stafit të tij. Partneriteti Shba-Shqipëri është strategjike. Është fat i madh që ne kemi një mik kaq të madh, saç janë SHBA jam i bindur se Trump do ta nxisë këtë marrëdhënie kaq të mire, këtë frymë bashkëpunimi mes dy vendeve tona.
Ndërsa ambasadori amerikan Donal Lu shprehu se:
“Këto zgjedhje ishte një votë për ndryshim në Amerikë por nuk do të thotë ndryshim mes marrëdhënieve SHBA- Shqipëri. Ne jemi aleatë të NATO-s, jemi partnerë në Afganistan. Jam besim plotë se marrëdhëniet do të mbeten të ngushta.”
Deputeti Ben Blushi, themeluesi i lëvzisjes më të re politike LIBRA, në një aktivitet të ambasadës amerikane për zgjedhjet, tha:
“Këtë radhë, Amerika ka votuar për vete dhe jo një president për botën. Ne kishim krijuar një perceptim të gabuar për të, megjithatë ai pas fjalimit të sotëm doli një president i shkëlqyer. Ai foli si një njeri shumë i përulur. Marrëdhëniet nuk kanë për të ndryshuar. Ato janë strategjike, madje mund edhe të forcohen.”