KE rekomandon hapjen e kushtëzuar të negociatave me Shqipërinë – Pikat kryesore të raportit

KE rekomandon hapjen e kushtëzuar të negociatave me Shqipërinë – Pikat kryesore të raportit

Komisioni Evropian i rekomandoi sot 28 shteteve anëtare të BE-së hapjen e kushtëzuar të negociatave me Shqipërinë. Kushti që KE për Shqipërinë është zbatimi i reformës në drejtësi dhe veçanërisht miratimin dhe zbatimin e ligjit të vetingut (ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve).

KE shkruan se Shqipëria ka bërë progres në pesë prioritetet që BE kishte vendosur: reforma në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit, ndaj drogës, reforma e administratës publike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Gjithsesi, për të pesta pikat, KE rekomandon të punohet më shumë, veçanërisht në zbatimin e reformës dhe luftën ndaj drogës e korrupsionit. KE, gjithashtu, kërkon realizimin e reformës zgjedhore dhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore.

Pikat kryesore të raportit për Shqipërinë janë:

  • Projektligjet që shoqërojnë reformën në drejtësi, veçanërisht ligjit i vetingut, duhet të miratohen sa më parë. Kjo hap rrugën për zbatimin e plotë të reformës në sistemin e drejtësisë.
  • Administrata e gjyqësorit vazhdon të jetë e ndagaltë, joefiçente dhe korrupsioni vazhdon ende të jetë i pranishëm.
  • Korrupsioni është i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë problem serioz. Duhen bërë më shumë përpjekje për të luftuar korrupsionin tek funksionarët e lartë. Për këtë duhet shtuar bashkëpunimi mes institucioneve hetimore.
  • Duhet thelluar lufta ndaj krimit të organizuar dhe drogës. Pavarësisht operacioneve të policisë, numri i të arrestuarve apo dënuarve mbetet i ulët.
  • Hetimet financiare që lidhen me grupet e organizuara kriminale nuk janë përdorur në mënyrë sistematike dhe në mënyrë efektive.
  • Reforma zgjedhore duhet të garantojë depolitizim dhe profesionalizëm të administratës zgjedhore.
  • Zbatimi i mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtën e pronës duhet të forcohet.
  • Papunësia dhe borxhi publik janë ende të larta.
  • Kreditë e këqija vazhdojnë të jenë problematike për sistemin banker dhe ekonominë në tërësi. Zbatimi i reformës në drejtësi pritet të ketë ndikim dhe në fushën e biznesit dhe sistemit bankar.
  • Pavarësisht disa përpjekjeve, mangësitë në transport, infrastrukturë, energji, cilësia e dobët e arsimit, pengojnë konkurrencën dhe kufizojnë tregtinë.
  • Cilësia e arsimit duhet të përmirësohet për të pajisur qytetarët me aftësi dhe njohuri në përputhje me nevojat e tregut të punës.

Në dhjetor 28 vendet anëtare të BE-së do të votojnë rekomandimin e KE-së. Deri atëherë, Komisioni i Venecias duhet t’i jetë përgjigjur thirrjes së Gjykatës Kushtetuese për një mendim lidhur me ligjin e vetingut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>