Kryeministri Edi Rama dha dje një intervistë për gazetarin grek Alexis Papahelas, e cila u transmetua në televizionin grek Skai. Biseda u përqendrua në ndodhitë e fundit mes dy vendeve, prishja e shtëpive në Himarë dhe fotoja e gërmadhave të Akropolit, postuar nga kryeministri Rama. Kjo intervistë është zhvilluar përpaar se të merrej vendimi për dy shoferët e arrestuar.
Disa nga deklaratat kryesore të Kryeministrit Rama ishin:
Për arrestimin e shoferëve që po transportonin librat shqiptarë në Greqi:
- Nuk ka asnjë hartë të asnjë Shqipërie të madhe në libër shkolle. Nëse përmenden vendet se ku kane jetuar shqiptaret, kjo është histori por nuk ka lidhje me kuptimin e Shqipërisë së madhe sa i takon kufijve.
- Shqipëria natyrale është një nocion i cili është prodhuar nga të tjerë, të cilët janë trembur apo e kanë krijuar atë për shkak të axhendave të ndryshme.
- Nuk ka asnjë plan, nuk ka asnjë ide normale edhe të parashikueshme që t’i mbledhë [shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë] në një Shqipëri të madhe.
- Ne nuk duam ta bëjmë Shqipërinë më të madhe gjeografikisht, por më të madhe sa i takon demokracisë së saj, begatisë.
- Unë nuk mendoj se është irredentistë t’ju thuash fëmijëve tanë se ku kanë jetuar shqiptarët dhe nuk mendoj se është irredentiste t’ju thuash njerëzve se ka qenë një zonë që quhej Çamëri, e që shqiptarët jetonin atje.
- Duke u mbajtur peng i këtyre temave, e duke i parë ato mes së shkuarës, ne ushqejmë nacionalizmin, ne e ndezim nacionalizmin, u japim nacionalistëve argumente dhe për rrjedhojë u japim arsye për të ekzistuar.
Për foton e Akropolit postuar nga Kryeministri Rama:
- Nuk më besohej se çfarë zhurme krijoi kjo foto në Greqi. Ndërkohë që, ajo që unë bëj është thjesht të mbaj një kronikë me foto në faqen time të Facebook-ut, që në fakt postohet çdo ditë në orën 20:00 dhe që ka të bëjë me historinë.
- Fakti që shqiptarët kanë kontribuar për të mirën e Greqisë, e shoqërisë greke dhe fakti se shumë njerëz asokohe flisnin në gjuhën shqipe nuk e bën Athinën një qytet shqiptar.
- Unë nuk dua të them se shqiptarët shpëtuan Greqinë. Ajo që doja të thoja është se jetët tona kanë qenë kaq shumë të ndërlidhura dhe njerëzit tanë dhe popujt tanë kanë qenë kaq shumë të bashkuar me njëri tjetrin në periudha të ndryshme të kohës.
- Kjo nuk ka të bëjë me kontestimin e kombësisë së heronjve kombëtarë pasi në fund të fundit në qoftë se do të hynim thellë-thellë mund të gjendemi, dhe mund të zbulojmë që jemi kushërinj.
Për integrimin e Shqipërisë në BE
- Nuk është bujari e palës greke për të mbështetur integrimin e vendit tonë, është në interesin grek gjithashtu.
- Nuk mendoj se kjo është e mençur edhe për t’u menduar [që Greqia mund t’i vërë veton Shqipërisë]. Veto për çfarë? Është e pabesueshme.