
Dy persona humbën jetën mbrëmjen e së shtunës ndërsa 8 të tjerë u plagosën kur makina me të cilën po udhëtonin doli nga rruga dhe ra në një humbnerë në fshatin Çekrez të Gramshit.
Mediat raportojnë se dy të vdekurit dhe shumica e të plagosurve janë klandestinë sirianë. Top-Channel thotë se grupi mund të ketë zgjedhur rrugën Cërrik-Gramsh dhe jo atë nga Librazhdi, për t’iu shmangur kontrolleve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00. Report TV tha se mes 8 të plagosurve është edhe shoferi Mikel Gjeli (28-vjeç) nga Tirana.
Prej vitesh Shqipëria është bërë rrigë kalimi për refugjatët që i ikin zonave të luftës si Iraku apo Siria drejt vendeve të BE-së.
Në fillim të muajit shkurt roja bregdetare e Durrësit kapi 18 klandestinë ndërkohë që në janar policia kishte kapur edhe 27 të tjerë.
Prej vitit 2019 BE ka sjellë në Shqipëri rreth 50 oficerë të Frontex-it, Agjencisë Europiane Kufitare dhe Rojeve Bregdetare me synimin për të pasur kontroll më të mirë të pikave kufitare.