Qeveria përshkallëzoi masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit përmes një akti normativ (kliko këtu për të parë vendimin) që parashikon të paktën 20 gjoba për ata që do të shkelin urdhërat e dhënë ditët e fundit.
- 10 milionë lekë gjobë depove farmaceutike dhe marketeve të medha nëse nuk ofrojnë shërbim
- 5 milionë lekë gjobë spitaleve private që nuk vënë në dispozicion shërbimin
- 5 milionë lekë gjobë për farmacitë që thyejnë ndalimin e eksporteve të barnave
- 5 milionë lekë gjobë grosistëve që abuzojnë me çmimet
- 1 deri 5 milionë lekë gjobë nëse rihapen çerdhet e shkollat publike dhe jopublike pa urdhër
- 1 milionë lekë gjobë kush organizon eskursione, konferenca, aktivitete sportive, sociale e kulturore
- 1 milionë lekë gjobë kush rihap diskotekat, lokalet dhe restorantet
- 1 milionë lekë gjobë kush rihap palestrat, qendrat sportive apo të argëtimit
- 1 milionë lekë gjobë postës nëse nuk zbaton masë për shmangien e grumbullimit të njerëzve në sportele
- 1 milionë lekë gjobë mediave që në emisione kanë më shumë se 2 persona në studio
- 1 milionë lekë gjobë për grumbullime në mjediset e konsultave në qendrat shëndetësore
- 700 mijë lekë gjobë kush hyn në Shqipëri dhe nuk deklaron ardhjen nga zonat e prekura, apo nuk vetëizolohet
- 700 mijë lekë gjobë kush rezulton pozitiv dhe nuk zbaton masat e dhëna nga autoritetet shëndetësore
- 500 mijë lekë gjobë kush futet apo lejon futjen pa leje të të afërmve në spitale
- 100 mijë lekë gjobë mjekëve të spitaleve private që nuk mbështesin Task-Forcën kundër coronavirusit – në rast ripërsëritje u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit
- 100 mijë lekë gjobë tregtarëve me pakicë që abuzojnë me çmimet
- 50 mijë lekë gjobë farmacive dhe ushqimoreve që nuk ofrojnë shërbim
- 20 mijë lekë gjobë kush thyen kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të hapura urbane
- 10 mijë lekë gjobë kush lëviz përtej orareve të caktuara – bllokim për 3 muaj të biçikletës, motorit ose makinës (kliko këtu për të parë vendimin)
- Kush thyen ndalimin e qarkullimit të makinave i hiqet për 3 vjet patenta dhe i sekuestrohet automjeti
Prej 18 marsit lëvizjet janë kufizuar në vetëm 6 orë në ditë – 4 orë nga 06:00-10:00 dhe 2 orë 16:00-18:00.
Për bizneset që do të thyejnë urdhërat më shumë se një herë, do të ndëshkohen me mbyllje aktiviteti për 6 muaj.
Kryeministri Rama komentoi në Facebook se “gjobat nuk janë për popullin, por për shkelësit e rregullave të kësaj lufte dhe nuk janë për të mbledhur shteti para, por për të mbrojtur popullin nga shkeljet që në këtë situatë lufte kërcënojnë shëndetin e tij”.
Në një dalje për mediat Ministrja Manastirliu pati kërkuar gjoba shumë herë më të majme si për shembull 2 milionë lekë gjobë për ata që mbajnë hapur baret, restorantet dhe diskotekat, apo 5 mijë euro për ata që nuk respektojnë urdhërat e autoriteteve për t’u izoluar apo vënë në karantinë.