Media ndërkombëtare BBC ka publikua sot një reportazh për prodhimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri. Shkrimi është përgatitur nga investiguesja Linda Pressly, e cila në bashkëpunim me Albana Kasapin, ka pregatitur dhe një dokumentar të titulluar “Bumi i kanabisit në Shqipëri”. Dokumentari do të transmetohet sot në BBC.
Ndërkohë më poshtë janë disa nga pjesët kryesore të reportazhit të Linda Pressly, titulluar “Shqipëria, kryeqyteti i kanabisit në Evropë”:
Shqipëria është prodhuesi më i madh në Evropë i kanabisit të rritur në ambiente të jashtme. Bima e kanabisit është pagëzuar si “ari i gjelbër” nga fermerët. Në një vend të varfër, kultivimi i kanabisit është një industri prej miliarda eurosh.
Në Shqipëri një kilogram kanabis shitet për rreth 100 deri në 200 euro. Kur transportohet në Itali, vlera e saj shkon në rreth 1 500 euro. Pjesa më e madhe e sasisë së kanabist prodhohet për tu transportuar jashtë – në veri nga Mali i Zi, në jug nga Greqia, ose nga deti Adriatik për në Itali.
Sipas një burimi, industria e kanabisit në Shqipëri vlen rreth pesë miliardë euro në vit – ose sa gjysma e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë.
Një prej të intervistuarve, në një shtëpi gati të rrënuar në veri të Tiranës, tregon se “këtë vit pothuaj çdo shtëpi në fshat ka mbjellë kanabis – qindra ton janë prodhuar vetëm në këtë zonë.” Ai rrëfen:
“I jap 20 për qind policisë. Të gjithë i paguajnë policisë. Po nuk i dhe gjë atyre, të fusin në burg. Ky është mallkimi ynë-nuk ka punë këtu. E di që nuk është diçka e mirë kjo që bëj, por nuk kam rrugë tjetër.”
Ai tregon se ka punësuar 15 persona për ta mbledhur dhe përpunuar kanabisin. Ka dhe roje të armatosura për të mbrojtur zonat e mbjella. Ai thotë se është komandanti i vetës, por me siguri është pjesë e një rrjeti më të madh.
Qeveria ka mundur deri diku të jetë e suksesshme në luftën e saj kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Sipas të dhënave të saj, më shumë se dy milionë bimë kanabis janë shkatërruar gjatë këtij viti, e tani që procesi i rritjes e korrjes ka përfunduar, policia po fokusohet në sekuestrimin e drogës së bërë gati për ta nxjerrë jashtë Shqipërisë.
Disa nga sasitë e kapura kanë qenë të mëdha, si në rastin e një magazine në Rrëshen.
Shefi i sektorit të krimit të organizuar në Policinë e Lezhës, Agron Cullhaj tregon se sasia e kapur në Rrëshen është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Shqipëri. Aty u sekuestruan më shumë se katër ton kanabis, sasi e cila në rrugët e Italisë do të kapte vlerën e 5 milionë eurove.
“Kur mora detyrën në 2013-ën, fillova të planifikoj një aksion të madh kundër kultivimit të kanabisit,” shprehet Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Në luftën kundër kanabisit, Shqipëria ka pasur dhe ndihmën e shtetit italian. Guardia di Finanza kryen vrojtimet ajrore për të identifikuar plantacionet me kanabis, rezultatet e të cilave përdoren nga politikanët shqiptarë.
“Nga 2013-ta në 2016-ën, shifrat tregojnë një rënie prej 30 për qind të zonës së mbjellë me kanabis në Shqipëri,” deklaron ministri Tahiri.
Kjo ulje ndodhi për shkak të ndërhyrjes së policisë në Lazarat në 2014-ën, fshati jugor që njihej si kryeqendra e drogës evropiane.
Por nëse krahasojmë shifrat e policisë italiane për vitet 2015 dhe 2016, shihet një rritje me 5 herë e sipërfaqes së mbjellë me kanabis. Zëra nga Shqipëria tregojnë se shumë fshatra kanë mbjellë kanabis për herë të parë këtë vit.
“Korrupsioni është element kyç për suksesin e këtij biznesi të paligjshëm,” shprehet ministri Tahiri.
“Me siguri që policia ka qene e korruptuar. Që nga dita e parë e detyrës, më shumë se 3000 policë janë nën hetime penale apo disiplinore. Gati 20 për qind e gjithë punonjësve.”
Gjithsesi jo të gjithë këta 300o policë kanë patjetër lidhje me kanabisin. Korrupsioni në Shqipëri është i pranishëm në shumë “të çara të jetës së përditshme”.
Një tjetër arsye pse industria e kanabisit është e vështirë të luftohet janë pagat e mira – rreth 20 euro për ditë në disa vende.
“Si kamerier, paguhesha sa një e treta e kësaj që marr duke përpunuar kanabisin”, tregon një 20 vjeçar, prindërit e të cilit e ndaluan të shkonte në punë kur e morën vesh.
“Në orën 4 të mëngjesit sheh turma njerëzish që shkojnë në punë”, vazhdon rrëfimin ai. Disa furgona të mbushur plot nisen për në plantacione, gjatë periudhën së rritjes, ose për në mjediset ku përpunohet kanabisi pasi është korrur.
Kritikët shprehen se janë pikërisht këta punëtorë që arrestohen nga policia, ndërkohë që “peshku i madh” shpëton gjithmonë.
Ministri Tahiri e mohon këtë.
“Ne nuk kemi zgjedhur të shkojmë pas fshatarëve që mbjellin hapësira të vogla për të luftuar varfërinë. Ne do të shkojmë pas atyre që janë “peshqit e mëdhenj.”
At Gjergj Meta, një prift katolik, shprehet se ka shumë të rinj në burgje për kultivimin e kanabisit. “Mendoj se janë viktima. Njerëzit janë të dëshpëruar. Nuk shohin të ardhme. Mendojnë se do të fitojnë shumë para.”
At Gjergji shkroi në tetor, një letër drejtuar të rinjve, e cila u përhap gjerësisht në internet.
“Ti ndoshta nuk ke për ta lexuar këtë letër për shumë arsye. Ndoshta sot je roje në ndonjë parcelë të mbjellë me kanabis me kallash në kra, ose po qëron bimët në ndonjë magazinë, ose po mban thasët, ose je thjesht në burg sepse kësaj here të kanë kapur.”
Më pas ai përshkruan historinë e turbullt të Shqipërisë – komunizmin, mitin e të fortit dhe krimin e organizuar – të gjithë këto kanë ulur mundësitë për të rinjtë.
Me pak mundësi për të zgjedhur, lutja e tij për t’i kthyer kurrizin kanabisit, mund të bjerë në vesh të shurdhër.