Tre organizatat mjedisore EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur dhe 38 qytetarë aktivistë paditën qeverinë për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë, ditën e premte në Gjykatën Administrative.
Sipas faqes zyrtare të organizatës Ecoalbania.org, paditësit kërkojnë pezullimin e çdo vendimi apo premtimi për ndërtimin e hidrocentralit nga dy kompanitë turke.
Komisioni Europian ka shprehur kundërshtinë e tij për të. Në Raportin e Progresit 2014, Komisioni i kërkoi qeverisë të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë, pasi ato do të dëmtonin një prej ekosistemeve të fundit të paprekur dhe natyrorë të mbetur në Evropë.
Parlamenti Europian (PE) gjithashtu i ka kërkuar qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimet e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në parqet kombëtare.
Kundër ndërtimit të tyre kanë qenë edhe organizata të ndryshme mjedisore, vendase e të huaja, të cilat kanë shpjeguar se hidrocentralet mbi Vjosë do të ndikojnë negativisht në habitatet natyrore, në tërësinë e mjedisit ujor të lumit Vjosë dhe do t’i shtojë barrën e dëmshme basenit të këtij lumi.
Ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Vjosë është një nga çështjet më të kundërshtuara publike në vend, për shkak të vlerave natyrore të rralla të luginës së Vjosës dhe vlerave historike në shumë zona përgjatë saj.