Fundi i sagës së Rrugës së Kombit – Exit Shpjegon

Fundi i sagës së Rrugës së Kombit – Exit Shpjegon

Javën e kaluar, Ministria e Transportit publikoi njoftim zyrtar për ofertën e Konsorciumit Catalyst që ka fituar tenderin për koncesionin e Rrugës së Kombit, segmenti Miloti në Morinë.

Nëse Konsorciumi Catalyst e pranon ofertën deri më datë 7 dhjetor, luftës së gjatë të qeverisë shqiptare për të gjetur një kompani të aftë për të shfrytëzuar projektin infrastrukturor më të shtrenjtë të ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, të papërfunduar ende, i vjen fundi.

Ndërtimi

Projekti i Rrugës së Kombit nisi me një studim bëshmërie të Bankës Botërore në vitin 2003. Sipas të dhënave nga Open Data, projekti infrastrukturor nga viti 2006 deri në vitin 2010 kushtoi rreth 729 milionë euro, duke shkaktuar një rritje të konsiderueshme të borxhit publik të vendit.

Opozita e atëhershme e akuzoi ish-ministrin e Punëve Publike dhe Transportit të Partisë Demokratike (PD) Lulzim Basha, për “shpërdorim detyre” në procesin e tenderimit për ndërtimin e rrugës nga kompania Bechtel.

Pjesa e parë e rrugës u përurua në vitin 2009 nga ish-kryeministri Sali Berisha, ndërsa pjesa e fundit u hap në vitin 2011. Rruga, megjithatë, ende nuk është përfunduar plotësisht, ka shumë segmente që përbëhen vetëm nga dy korsi, kur duhet të ishin katër dhe disa viadukte janë ende të pa përfunduara.

Tenderi i parë

Ideja për privatizimin e Rrugës së Kombit filloi të qarkullonte në vitin 2012. Argumenti kryesor ishte që fatura financiare për  përfundimin  dhe mirëmbatjen e rrugës të përballohej nga një sistem pagesash nga makinat që do të kalonin rrugën. Tenderi i parë për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit u hap në shkurt të vitit 2012. Ish-zëvendësministri i Punëve Publike dhe Transportit Ernest Noka tha se kontrata me kompaninë fituese do të nënshkruhej në janar të vitit 2013.

Megjithatë, në nëntor të vitit 2013 u bë e qartë se të pesta kompanitë finaliste të procedurës së tenderit (Strabag & Intertoll; J&P Avax & Egis; Hochtief Solutions PPP gmbh; Autostrada Brescia-Verona-Vincenza-Padova sa; Vinci consessions sas & Aktor concessions sp) ishin tërhequr për shkak të kushteve të pafavorshme të vendosura nga qeveria.

Me kërkesë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Koorporatës Financiare Ndërkombëtare IFC, pjesë e Bankës Botërore, bëri një studim të situatës dhe sugjeroi disa ndryshime në tenderin për ta bërë atë më tërheqës.

Tenderi i dytë

Në janar të vitit 2014, ministri i ri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) njoftoi se qeveria Rama po përgatiste hapjen e një koncesioni të ri për Rrugën e Kombit, i cili do të hapej në verën e vitit 2014. Në nëntor 2014, ministri Haxhinasto deklaroi se procedurat do të mbyllen deri në fund të vitit. Megjithatë, as kësaj radhe tenderi nuk funksionoi.

Tenderi i tretë

Në shkurt 2015, Ministri Haxhinasto tha se procedurat e tenderit nuk ishin hapur për shkak se duheshin bërë disa ndryshime ligjore më parë. Ai tha se më 23 mars tenderi për koncesionin e Rrugës së kombit do të shpallej zyrtarisht. Koncesioni do të ishte për një periudhë 35 vjeçare dhe taksa e kalimit të rrugës nuk duhet të ishte më e lartë se 5 euro.

Më 10 nëntor 2015, Ministri Haxhinasto bëri të ditur se janë dy kompani të interesuara për koncesionin: kompania kineze China Construction Communication Company Ltd, e cila kërkoi subvencion nga qeveria prej 10,4 milionë eurosh, ndërsa kompania turke, një konsorcium i Vendeka Bilgi Teknolojileri Ticaret Ltd dhe kompanisë shqiptare Salillari, kërkoi 12,3 milionë euro.

Më 22 dhjetor 2015, Sekretari i Përgjithshëm i MTI-së njoftoi se ofertat e dy konsorciumeve ishin shumë të larta dhe se IFC ishte shprehur kundër pranimit të dy ofertave pasi ishin jofitimprurëse.

Tenderi i katërt

Pas dështimit të tenderit të tretë, MTI hapi një tender të katërt me kushte të ndryshme. Tenderi u mbyll më 31 maj 2016.

Dy ishin kompanitë konkurrente: Konsorciumit Vendeka, i përbërë nga kompanitë Vendeka (Turqi), Citra (Indonezi), Mau (Turqi), Savronik (Turqi), dhe Vendeka Evropian (Turqia), dhe Konsorciumi Catalyst, i përbërë nga kompanitë Catalyst Viva Das General Contracting  LLC (EBA), Salillari shpk (Shqipëri), Bee Tech (Greqia), Violiap Ateve (Greqi) dhe Kastrati sha (Shqipëri).

Konsorcium Vendeka i kërkoi qeverisë një subvencion prej 5,6 milionë euro duke ofruar një investim prej 321 milionë euro. Ndërsa Konsorciumi Catalyst kërkuar 5 milionë euro, duke ofruar një investim prej 218 milionë euro.

Ajo çfarë është interesante, dhe ndoshta shpjegon rezultatin e suksesshëm të tenderit të katërt, është fakti se kompania shqiptare Salillari shpk kaloi nga aleanca me Konsorciumin turk Vendeka tek Konsorciumi me kompaninë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ankesa e fundit?

Fillimisht Konsorciumi Vendeka u shpall fitues i koncesionit. Por, Konsorciumi Catalyst paraqiti një ankesë në Komisionin për Prokurim Publik (KPP), pasi kishte mbaruar afati zyrtar për ankimim. Ankesa, dhe pse në shkelje të afatit, u pranua të shqyrtohej nga KPP.

Edhe pse si ministri Haxhinasto, ashtu dhe IFC-ja argumentuan se përse Konsorciumi Vendeka ishte fituesi i drejtë i koncesionit, KPP vendosi më 29 gusht 2016, të skualifikonte Konsorciumin Vendeka dhe të shpallte fitues të koncesionit 30 vjeçar  Konsorciumin Catalyst.

Kjo ishte hera e parë (dhe e fundit) që një këshillë e IFC-së u injorua në një prej proceseve të tenderimit të Rrugës së Kombit, nisur që prej vitit 2013.

Menjëherë pas vendimit të KPP-së, më 2 shtator, ministri Haxhinasto dha dorëheqjen për shkak të “angazhimeve elektorale.” Dorëheqja e tij është interpretuar nga opinioni publik dhe media si rezultat i përpjekjeve të qeverisë për të ndërhyrë në tenderin për Rrugën e Kombit. Ministri Haxhinasto pa sukses u përpoq t’i rezistonte ndikimit të atyre anëtarëve të kabinetit pranë kompanisë së ndërtimit Salillari, e cili në vitet e fundit ka marrë projekte të shumta e të majme nga Qeveria Rama.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>