Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë sot në një takim me të rinj, organizuar në sheshin Demokracia, me rastin e Ditës së Rinisë.
Biseda me të rinjtë u fokusua mbi problemet kryesore të rinisë lidhur me arsimin dhe papunësisë.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Basha ishin:
- Sot nuk kemi demokraci, por autokraci, sundim për veten, pushtet i pakufizuar në duart e Kryeministrit, në duart e një grupi oligarkësh që nuk i shërbejnë interesit qytetar. Duhen shembur kollonat e këtij sistemi, i duhet dhënë pushtet qytetarit, të rinjve.
- Sot ekonomia kombëtare është rrënuar nga mungesa e konkurrencës , ku i forti dhe servili kanë mbytur ëndrrën e të rinjve për sipërmarrje të lirë mbi meritën dhe aftësinë.
- Duhet çliruar ekonomia nga monopolet. Kjo do të thotë më shumë mundësi për të rinjtë, më shumë vende pune, një arsye për të mos e braktisur Shqipërinë.
- Sot liria është privatizuar dhe i takon vetëm një grushti njerëzish që pasurohen ditë për ditë në kurrizin e mijëra, miliona shqiptarëve që varfërohen ditë për ditë, qindra mijëra që zgjedhin të largohen nga vendi, shumica prej tyrë të rinj.
- Reflektimi im për rininë është i qartë. 35 % e grupit të PD do të vijë nga ju dhe do t’i zgjidhni ju lirisht me votën tuaj, sipas aftësisë së tyre, sipas bindjes tuaj.
- Duhet t’i japim pushtet qytetarëve dhe jo politikanëve; pushtet për një ndryshim të vërtetë që qytetarët ta besojnë, ta shijojnë, ta prekin e ta gëzojne dhe jo të jetë monopol për një grup njerëzish të cilët sot jetojnë si Shekë mbi djersën, mundin dhe varfërinë e shumicës.