Sipas Philippe Le Corre, një nga momentet kyç të nxitjes së investitorëve kinezë në Evropë ishte kriza e viti 2008 kur qeveria kineze filloi të blinte eurobonde si dhe të investonte në infrastrukturë, duke përmendur këtu rastin e Greqisë, në të cilin Porti i Pireut tashmë pothuajse zotërohet nga kompania kineze COSCO.
Situata e keqe ekonomike e Evropës i hapi më shumë rrugë investitorëve kinezë. Gjatë periudhës kohore që kontinenti “plak” ka qenë në kolaps, Kina ka pasur një rritje ekonomike dy-shifrore. Në vitin 2007 Kina ka arritur vlerën më të lartë të rritjes ekonomike në vlerën 14. 2 për qind (Burimi Banka Botërore).
Investimet kineze në Evropë kanë njohur rritje të lartë, gjë e cila theksohet edhe nga një raport i publikuar nga Baker & McKenzie dhe Rhodium Group që investimet kineze në Evropë janë rritur nga 6 bilion dollarë në vitin 2010, në 55 bilion dollarë në vitin 2014.
Disa nga investitorët më të mëdhenjë kinezë në Europë janë COSCO, ChemChina, Dalian Wanda, etj.
Arsyet kryesore se përse investitorët kinezë janë drejtuar nga Evropa janë:
- Në vendet si Gjermania, Franca, Italia dhe Anglia dhe në fushat si transporti, energjia, të mira luksi etj, investitorët kinezë synojnë që të transferojnë know-how drejt vendit të tyre për të krijuar sipërmarrje të një niveli dhe një cilësie më të lartë;
- Marrëdhëniet Evropë-Kinë janë më pak konkurruese dhe konfrontuese sesa marrëdhëniet SHBA-Kinë. Theksoj këtu se në vitin 2014 investimet Kineze në Europë kanë qenë 19 për qind e totalit të këtyre investimeve, ndërsa investimet kineze në Amerikën Veriore kanë qenë 13 për qind;
- Që prej vitit 1990, Kina ka ndjekur politikën “Go Out”, një politikë e Republikës Popullore të Kinës për të nxitur investimet jashtë shtetit kinez.
Për investitorët kinezë vendet më tërheqëse deri tani kanë qenë Mbretëria e Bashkuar, Italia, Gjermania, Spanja dhe Portugalia.
A do të vijnë invstitorët kinezë në Shqipëri?
Në një shkrim të muajit Qershor 2016 në revistën Forbes, një artikull i plotë i dedikohet investimeve kineze në Shqipëri, duke e cilësuar vendin tonë si një nga “magnetët” më të rinjë të Kinës në Evropë.
Por, a është vërtet vendi ynë një magnet i investitorëve kinezë?
Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë kanë qenë për një kohë relativishtë të gjatë, marrëdhënie të mira diplomatike.
U diskutua gjatë në lidhje me investitorët kinezë të cilët do të ndërtonin Rrugën e Arbrit, China State Construction Engineering (CSCEC) – kompani e krijuar në vitin 1957 dhe që njihet për investime ndërkombëtare në infrastrukturë në Azi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Vetëm disa ditë më parë u bë i ditur lajmi se CSCEC u tërhoq nga ndërtimi i rrugës së Arbrit dhe kjo e fundit do të ndërtohet nga një kompani shqiptare “Gjoka Construction”.
Nga ana tjetër, kompania kineze China Everbright do të blinte Aeroportin e Tiranës. Vetëm në fillim të muajit Nëntor 2016, u bë me dije se aksioneri i ri dhe i vetëm i Aeroportit të Tiranës do të ishte “Real Fortress Private”. Kompani e cila rezulton se është krijuar më datë 22 Qershor 2016.
Tashmë, projekti më i madh politiko-ekonomik i Kinës është “Një brez, një rrugë”. “Një brez” nënkupton “Brezin ekonomik përgjatë rrugës së mëndafshit, ndërsa “Një rrugë”- nënkupton “Rrugën detare të Mëndafshit të shek. 21”. Nisma “Një brezë, një rrugë” prek mbi 60 vende, me një popullsi të përgjithshme prej 4.4 miliard njerëz, me një vlerë të përgjithshme ekonomike prej 21 trilion USD.
Në listën e vendeve që janë pjesë e këtij projekti të madh të shtetit kinez është edhe Shqipëria. Sigurisht që roli i Shqipërisë dhe i Ballkanit në këtë projekt do të jetë ai i një ure që do të lidhë Kinën me Europën.
Dukej sikur në Shqipëri vërtet investitorët kinezë janë drejtuar për të ri-filluar investimet, por bazuar edhe në çfarë u diskutua më sipër: Shqipëria nuk është një treg mjaftueshëm i madh, për këtë arsye edhe nëse do të vijnë investitorë kineze ata kanë për të qenë sipërmarrës/investitorë të vegjël, të cilët ashtu si edhe CSCEC mund të ndodh të tërhiqen në moment të fundit.
Porti i Durrësit apo ai i Vlorës nuk kanë flukse tregtare dhe as rëndësi strategjike siç ka Porti i Pireut dhe kjo nuk ka për të tërhequr ndonjë investitor. Së fundmi, për shkak edhe të poltikave fiskale të paqëndrueshme, Shqiperia nuk do arrijë të tërheqë investitor të huaj kineze apo qofshin ata të vendeve të tjera.
Ky artikull është publikuar më parë në portalin Ekon.al