(Jo)Kushtetuetshmëria e ligjit të vetingut – Exit shpjegon

(Jo)Kushtetuetshmëria e ligjit të vetingut – Exit shpjegon

Në fillim të javës, Komisioni i Venecias publikoi mendimin e tij miqësor për ligjin e Rivlerësimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i njohur ndryshe si ligji i vetingut, në përgjigje të katër pyetjeve që Gjykata Kushtetuese i kishte parashtruar disa javë më parë.

Sikurse thekson vetë Komisioni në paragrafët 4 dhe 59 të tij, opinioni nuk vlerëson kushtetueshmërinë e ligjit, çka mbetet kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, por përputhshmërinë e përgjithshme të tij me standardet evropiane.

Në lidhje me çështjen nëse ligji lejon apo jo ndërhyrjen e institucioneve në varësi të qeverisë në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve, Komisioni shprehet se roli i dy organeve—Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) — “duhet të kufizohet deri në atë pikë sa nuk cënon funksionimin e institucioneve të vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit (KA)”.

Më poshtë paraqitet shkurtimisht roli që do të luaj DSIK në vlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe këshillat e Komisionit të Venecias mbi kufizimin e institucioneve të ekzekutivit.

Roli i DSIK

Kontrolli i figurës është njëri prej tre aspekteve të rivlerësimit që parashikon reforma; vlerësimi i pasurisë dhe vlerësimi i aftësive profesionale janë dy aspektet e tjera.

Procesin e kontrolli të figurës e kemi shpjeguar në detaje këtu.

Ligji i vetingut përcakton se “Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjin e Apelimit (KA) të dy institucione të reja të krijuara nga reforma në drejtësi, do të bëjë kontrollin e figurës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës kushtetuese dhe Prokurorin e Përgjithshëm”.

Për këtë qëllim, DSIK do të ngrejë një grup pune me përfaqësues të Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimit Informativ Shtetëror ( SHISH) dhe Shërbimit të Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Pas procesit të verifikimit dhe kontrollit, grupi i punës i ngritur nga DSIK duhet t’i paraqesë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) një raport mbi kontrollin e secilit individ.

Përveç raportit, DSIK i paraqet KPK-së dhe një konstatim në lidhje me përshtatshmërinë e individit për vazhdimin e detyrës.

DSIK ka të drejtë të mos e bëjë publik një informacion nëse e shikon të arsyeshme se publikimi i tij rrezikon burimin e informacionit.

Kushtetueshmëria e ligjit të vetingut

Pikërisht kontrolli i pushtetit ekzekutiv mbi formimin e grupit të punës të ngritur nga DSIK dhe klauzola për mos publikimin e një informacioni të caktuar, mund të ndikojnë në procesin e vlerësimit dhe të kërcënojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Kjo çështje trajtohet gjërësisht në opinionin miqësor të Komisionit të Venecias, i cili thekson sërish fuqinë e insitucioneve të reja të drejtësisë si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Apelimit (KA) në këtë proces.

Komisioni i Venecias nuk e ndalon institucionin e KPK dhe KA të hetojnë në mënyrë të pavarur nga DSIK dhe ILDKPKI.

Në paragrafin 37 të KV saktësohet se KA dhe KPK do të kenë gjithmonë të drejtën të rivlerësojnë raportet e përpiluara nga DSIK dhe ILDKPKI.

“Fuqinë e vendimarrjes në të gjitha rastet e ka Komisioni i Pavarur i Kualifikimi dhe Kolegji i Apelimit, të cilat kanë të drejtës të verifikojnë vetë provat e paraqitura nga organet ekzekutive” – shkruhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Klauzola e fshehtësisë

Pjesa më problematike në funksionimin e DSIK është klauzola e mos publikimit të një informacioni të caktuar nën të cilin DSIK do të punojë për të përpiluar kontollin e figurës.

Komisioni i Venecias theksoi se mbajtja e fshehtë e informacionit mund të ndikojë në paanshmërinë e procesit të vlerësimit të figurës nga KPK dhe KA.

Në këtë opinion, Komisioni i Venecias është shumë i qartë për rrethanat se kur një informacion mund të quhet sekret: “Ky informacion mund të mbahet sekret vetëm nëse ai nuk ndikon negativisht në vlerësimin përfundimtar të KPK-së dhe KA-së.”

Në këtë mënyrë ai përcakton qartë kufijtë e rolit të institucioneve nën varësinë e qeverisë në procesin e rivlerësimit të figurës.

Tani mbetet në dorë të Gjykatës Kushtetuese nëse do të përfshijë apo jo mendimin e Komisionit të Venecias në vendimin përfundimtarë për kushtetueshmërinë e ligjit të vetingut.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>