A e meritojmë varfërinë

Nga Dr. Andon Dede, Nju York
A e meritojmë varfërinë

Si zor të ketë njeri që, sapo vetëdijësohet për statusin shoqëror ku gjendet, të mos i ketë bërë vetes një sërë pyetjesh, si këto:

Pse kjo pabarazi kaq e madhe mes njërëzve?

Pse unë/ne të jem/jemi ndër më të varfërit e jo si gjithë të tjerët, në mos edhe më i/të pasur?

A është faji im/ynë për këtë gjendje që po përjetoj/më apo i dikujt tjetër?

Ç’duhet bërë për të dalë nga kjo varfëri e skajshme e për të jetuar dhe unë/ne, si gjithë bota? … e një sërë pyetjesh të tjera të kësaj natyre.

Migjeni, asgjë të mos kishte shkruar tjetër veç Poemës së Mjerimit do të meritonte të ishte në piedestal:

Kafshatë që s’kapërdijhet asht or vlla, mjerimi, kafshatë që të ngec në fyt e të kap trishtimi…

Pra, a e meritojnë popujt apo dhe individët varfërinë apo mjermin që përjetojnë? A është ai përherë i përligjur apo, në të kundërtën, ata që rropaten më shumë shpesh vuajnë më tepër dhe e anasjellta?!

Nuk është e vështirë për të gjetur përgjigjen e tërë këtyre pyetjeve, po qe se gërmon në literaturën e pasur social-politike që e gjen me bollëk jo vetëm në biblioteka e librari por dhe në Internet. Këtë u përpoqa të bëj dhe unë, sapo mora në dorë librin e fundit të autorit të njohur Dr. Thomas Sowell, i Institutit Huver, në Universitetin e Stanfordit: “Pasuria, Varfëria dhe Politika”.

Kjo për dy arsye.  Së pari, se me këtë autor jam familjarizuar prej kohësh për shkrimet e herëpasherëshme që ka botuar në revistën periodike të Institutit në fjalë,”Hoover Digest”, ku jam pajtuar prej rreth njëzet vjetësh.

E dyta dhe më kryesorja është se, siç e kam pohuar edhe në ndonjë shkrim të mëparshëm, sa herë që marr në dorë libra të kësaj natyre, gjë e parë që bëj, shkoj tek treguesi se mos ka ndonjë gjë për Shqipërinë. Edhe në këtë libër e gjeta emrin e vendit tim. Përmendej vetëm një herë, që në kapitullin e parë, si shembull i një shteti nga më të varfërit, i krahasueshëm me Ukrainën e Sërbinë e që ka GDP-në tre herë më të vogël se Gjermania, Svicra e Danimarka dhe pesë herë më të vogël se Norvegjia. (Libri në fjalë, botim anglisht, f.5).

Kjo më la një shije të keqe edhe pse e dija prej kohësh këtë diagnozë për vendin tim. Por, se si të vjen kur ta thonë të tjerët. (Sipas të dhënave zyrtare rezulton se rreth 14,3 për qind e familjeve tek ne jetojnë në varfëri absolute, e përcaktuar në Shqipëri si numёri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë, ndёrsa, rreth 2,2 për qind në varfëri ekstreme, ku pёrfshihen ata persona që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).

Vendet e varfra, kudo në botë, dallohen edhe për shpenzimet e larta që bëjnë për ushqime. Shqiptarëve iu merrte ky zë në fillim të këtij shekulli rreth 70 për qind të të ardhurave, ndërkohë që në vendet e tjera të Europës qe tek 15 pëqindëshi. Me gjithë zhvillimet që kanë ndodhur dhe tek ne, si kudo në botë, akoma popullit tonë ushqimet iu marrin rreth gjysmën e të ardhurave, duke ulur ndjeshëm shpenzimet për arsim e shëndetësi, dy shtyllat bazë për një zhvillim normal të vendit.

Me që nuk përmendej më Shqipëria, sikur m’u ftoh pak dëshira për ta vazhduar më tej librin, por nuk ndodhi kështu. Dhe ja sepse: vërtet që vendi im nuk përmendej më me emër por, e them pa e tepëruar se gjithë përmbajtja e librit dukej sikur qe shkruar pikërisht për ne, për të na mbushur mendjen se kjo gjendje e vajtueshme që po përjeton populli ynë, ka arsye të thella e tepër komplekse, njohja e të cilave, në gjerësi e thellësi, sikur na e lehtëson deri diku ankthin që na rëndon për gjendjen ku jemi. (Si ai nxënësi që revoltohet shumë për notën e keqe që ka marrë në provimin me shkrim por, më pas, e mbyll gojën e ndjehet edhe si i turpëruar kur mësuesi i tregon gabimet që ka bërë e që ai e pat akuzuar me pa të drejtë atë). Këtë po përpiqem të bëj dhe unë, aq sa më lejojnë caqet e këtij shkrimi.

E shoh të arsyeshme të kthehem pak mbrapa në kohë, për të kuptuar edhe më mirë, gjithënjë sipas optikës së Sowellit, se rrënjët e këtij realiteti janë më të thella nga sa na duken. Ja ç’shkruan Mehdi Frashëri në librin e tij “Problemet shqiptare”:

“Një i huaj kur vjen nga Europa në Shqipëri, sheh një vend mjaft të bukur; me brigje deti, me limane të mira, me fusha pjellore, me ujëra të bulbërta e të shumta, me male te egra, por piktoreske, me liqene, me lumenj, në një kënd të Evropës që përbën bregun e detit perëndimor të Ballkanit. Me gjithë këtë, sheh njerëz të zbehur nga fytyra, të venitur nga sytë, të rreckosur nga rrobat, të palarë e të parruar, faqet të thelluara midis rreshtave të nofullave nga mungesa e ushqimit; qetë e lopët, kuajt e gjithë gjëja e trashë, të vegjël e të dobët. Nuk sheh asnjë vijë udhë të hekurt, as një liman të sistemuar, as fabrika, as pallate, as universitete, as spitale që të përfshijnë kushtet shëndetësore. Gjithashtu i huaji që na viziton nuk sheh as vepra arti, të vjetra ose të reja, me një fjalë, asgjë nga ato që shihen kudo në vende të qytetëruara. Vetvetiu këtij të huaji i vjen ndër mend pyetja: Pse ka mbetur kështu ky vend?”

Pra, mendjet tona të ndritura, që nuk i kanë munguar kurrë këtij vendi, e kanë shtruar me kohë pyetjen sowelliane, në se mund ta quajmë kështu: Pse kjo gjendje?

Kthehemi tek tema që nisëm. Së pari, dy fjalë për autorin e librit, Thomas Sowell. Aktualisht merret me studime në Institutin Huver, por ka dhënë leksione për ekonominë në disa nga universitetet më të njohura të Amerikës, si Cornell, UCLA, Amherst etj.. Është autor i dhjetra publikimeve ekonomiko-politiko-sociale. “Skandal që ekonomisti Thomas Sowell nuk e ka marrë çmimin “Nobel”, – do të shkruante për të revista autoritare “Forbes”. – Askush nga ata që jetojnë nuk i ka trajtuar problemet ekonomike me kaq gjerësi e thellësi si ai, duke i parë ato në raport me faktorët gjeografikë, socialë e politikë…”.

*  *    *

Libri në fjalë përbëhet nga pesë pjesë. Le t’i shohim ato me radhë e, sipas këndvështrimit të autorit, le të hapim ndonjë parantezë për vendin tonë.

Në pjesën e parë autori analizon faktorët gjeografikë, ku përfshin reliefin, burimet ujore, klimën, botën bimore e shtazore etj. Siç shihet janë ata faktorë që nuk varen nga njeriu por që çdo popull i trashëgon, herë për mirë e herë për keq. Por, njeriu, nuk është indiferent ndaj tyre apo pasojave të tyre, faktorë këta që autori i shtjellon hollësisht e bindshëm.

Lind pyetja: a duhet të jemi të kënaqur ne me atë që na ka dhënë Natyra apo Zoti, për gjithësa evidentuam më sipër? Edhe po, edhe jo. Kemi një terren malor, por që në brendësi ka pasur e ka thesare, tjetër punë se sa i kemi zbuluar ato e se si i kemi shfrytëzuar e menaxhuar. Mos u habitni kur t’ju them se në vendin tonë të vogël gjenden pothuajse tërë elementët e tabelës së Mendeljevit? (Sigurisht, jo të gjithë në koncetrimin e duhur për t’u shfrytëzuar, por kjo nuk e zhvleftëson atë që thamë më lart për nëntokën tonë të pasur). Po flasim për vlera relative.

Por, a ju shkon në mendje se ne, gjatë Diktaturës, kemi arritur të jemi të parët në botë për prodhimin absolut të kromit, kësaj pasurie të madhe që do të na e kishin zili të gjithë?! Por, si e menaxhoi shteti ynë i atyre viteve, i ashtuquajtur “popullor e socialist” këtë shans të jashtzakonshëm? A e vlen të zgjatemi për këtë kur dihet tashmë se ç’është bërë me valutën e përfituar: mjafton të kujtojmë 700 mijë bunkerët që nuk i hynë në punë askujt.

Mirë ajo kohë e ai sistem që shkuan e vanë por ne, dhe tani po i trajtojmë pasuritë nëntokësore sikur të ishin të hasmit e jo tonat. Media na ka njohur e vazhdon të na informojë përditë për milionat në mos edhe miliardat e dollareve që fitojnë shoqëritë e huaja me naftën tonë apo dhe me mineralet e tjera.

Po burimet ujore? A e dinë vallë të gjithe se jemi ndër vendet më hidrike të rajonit apo dhe më gjerë e, megjithatë, akoma nuk kemi ujë për të pirë gjatë gjithë kohës, fakt tjetër ky tepër domethënës për të kuptuar një nga shkaktarët kryesorë të mjerimit tonë.

Po klima jonë dhe bota bimore e shtazore që gjallon në të, a janë në favorin tonë?! Do të thosha po, me të madhe. Kujtoni Zvicrën malore, kurse ne, plus asaj, kemi dhe detin. Terreni ynë kodrinoro-malor është shumë i përshtatshëm për pemtari, vreshtari e një blegtori intensive. Por, të kap tmerri kur kujton se ç’u bë në to gjatë Diktaturës, për të siguruar gjoja bukën në vend, duke shkatërruar kullota, korije e pyje shekullorë.

A ju kujtohet kontrasti që vihej re sa herë kalonim kufirin, kur na u dha mundësia të dalim jashtë shtetit?! Prapë, një parantezë të vogël lidhur me sa po diskutojmë. Ja se ç’shkruan Kadareja për sa më sipër:

“Fati, ndonëse na është bërë zakon ta mallkojmë, na ka caktuar ne shqiptarëve të jetojmë në një nga zonat më të bukura të Evropës. Ne harrojmë shpesh këtë, harrojmë që ky vend, sharjet ndaj të cilit i kemi në maj të gjuhës, ky vend  pra,  i vendosur midis Venedikut, Romës e Athinës ka një përbërje  gjeografike të mrekullueshme, se ai ka një klimë të admirueshme, se ka pasuri natyrore të shumta, se ka ndoshta plazhet më të bukura të kontinentit. Ne harrojmë ç’do të thotë ankthi shekullor i vendeve që nuk kanë dalje në det, pa përmëndur vendet e izoluara në thellësi të kontinenteve, pa përmëndur trojet e gjëra të kësaj bote të mbushura me shkurre, shkretëtira e trishtim, e që mbulojnë tri të katërtat e rruzullit tokësor. Ne i harrojmë këto dhe, me qënëse jemi midis një kopshti plot me shtete pasanike, na pëlqen të qahemi që nuk jemi si ata”.

Në pjesën e dytë autori trajton faktorët kulturorë, përhapjen e Kulturës, raportet e saj me Ekonominë dhe Progresin. Siç shihet, nuk është fjala për kulturën në përgjithësi, siç jemi mësuar ta shohim ne, duke përmendur shifra e fakte se sa shkolla, universitete e institucione të tjera kemi në raport me popullsinë, por kryesisht se sa efektive është kultura që u japim të rinjve për të përballuar ekonominë e tregut ku kemi hyrë dhe morinë e problemeve që e shoqërojnë atë.

Po tё shohim historinё e zhvillimit ekonomik, kudo në botë, thekson autori, vёrejmё se tё gjitha arritjet apo ndryshimet janё realizuar nё saje tё Kulturёs. Ai përmend gjermanët të cilët, kudo që kanë qënë, kanë dëshmuar aftësitë e tyre “thithëse”, kanë pasur sukses e janë bërë të pasur, jo vetëm në vendin e tyre por dhe në vende të tjera. Jo rastësisht shumë nga zbulimet në shkencë e teknologji kanë për autorë gjermanët. Ai krahason Rusinë me Gjermaninë e Britaninë, ku mund të ketë më pak shkolla por janë më resultative në përgatitjen e kapitalit njerëzor.

Pa nënvleftësar rolin e jashtëzakonshëm e të pazevendësueshëm të arsimimit, ai vë në dukje se nuk është shkolla gjithçka por sa është kulturuar populli në tërësi, nga gjenerata në gjeneratë. Si shëmbull ai fillon me Edisonin e Fordin dhe përfundon me Majkëll Dellin e Bill Gejtin, shpikjet dhe zbulimet e të cilëve kanë shënuar epokë në historinë e njerëzimit, edhe pse ata nuk kishin mbaruar shkollat në ciklin e tyre të rregullt.

Pra, kapitali njerëzor nuk është sinonim i shkollës, por dhe i trashëgimisë dhe i aftësive që merren përmes shumë kanaleve të tjera, jashtë sistemit arsimor. Duke marrë përsëri si shembull Rusinë e cila, sipas disave, është shquar për nivelin e lartë të shkollimit, autori vë në dukje se ajo ka treguesit nga më të ultit përsa i përket kapitalit human.

Ai citon autorin Nicholas Eberstadt, i cili, në një libër për Rusinë, pohon:

“Edhe me kёtё nivel tё lartё shkollimi, rreth 6 pёrqind e popullsisё me kolegje, ajo, nё vitet 1995-2008, prodhoi vetёm 1,5 përqind tё patentave nё botё, ndёrsa Gjermania 60 herё mё shumё; Japonia 200 herё; SHBA-ja 500 herё. Madje dhe njё vend i vogёl si Singapori prodhoi shumё mё tepёr patenta se Rusia e madhe.”

Ai e pёrligj kёtё edhe me aftёsitё asimiluese tё vetё popujve, por pa rёnё nё pozitat e racizmit por nё kultivimin tek ata, brez pas brezi, tё shprehive dhe aftёsive. Madje ai, me këtë rast, vë theksin edhe tek dështimi i determinizmit gjenetik.

Edhe sot akoma Kultura, nё kuptimin e vlerave tё brendёshme dhe qёndrimeve qё prijnё njё popullsi, vazhdon tё luajё rolin kryesor nё zhvillimin ekonomik. Autori pёrmend si shembull Nigerinё qё ёshtё e pasur nё burime natyrore por ekonomikisht tepёr e varfёr. Problemi shtrohet pra se si dhe sa arrin t’i vësh pasuritë e trashëguara nё shёrbim tё popullit.

Si për të mbështetur këtë mendim të Sowellit, po citoj një pohim të Bernie Sandersit, ish-kandidatit demokrat për president, në librin e tij të botuar kohët e fundit, “Revolucioni ynë”. “Transformimi i Amerikës, thekson ai, është diçka më shumë se thjesht zgjedhjet. Eshtë fjala për të ndryshuar kulturën tonë”.

Sowell ndalet dhe tek thithja e informacionit, pёrmes gjuhёve e mjeteve të tjera të komunikimit masiv. Anglishfolёsit, për shembull, kanё patur, (apo edhe e kanë), pёrparёsinё qё tё bien nё kontakt shumё shpejt me arritjet mё tё fundit tё shkencёs e të teknologjisё. Mjafton tё kujtojmё Indinë: sa përparësi iu ka dhёnё anglishtja, nga qё kanё qёnё koloni e Britanisё sё Madhe. (Jam vetë dëshmitar, këtu në Amerikë, se sa shumë indianë janë punёsuar nё administratё e degё tё tjera tё ekonomisё apo shёrbimeve sociale e ku, në shumë prej tyre, kanё kapur pozicione drejtuese, nga më kryesoret, si në administratat locale ashtu edhe nё qeverinё federale).

Kurse ne, apo dhe çekët, hungarezët e të tjerë, na është dashur apo dhe na duhet t’i përkthejmë në gjuhën tonë burimet e informacionit. Kohët tashmë kanë ndryshuar, falë Internetit etj. por thithja e informacionit më të avancuar mbetet një nga rrugët kryesorë për progres.

Vlen të kujtojmë këtu, shembullin tonë, me izolimin e skajshёm gjatё Diktaturёs, që na ka dёmtuar aq shumё. Kёtё e kemi ndjerë dhe vazhdojmë ta ndjejmë të gjithë ne, sa herë që ballafaqohemi me botën.

Sowell flet jo vetёm pёr dallimet midis shteteve por dhe midis grupeve sociale. Tё rinjtё e sotёm, nёnvizon ai, paradoksalisht, edhe pse kanё dekada pёrpara pёr tё jetuar, fokusohen mё tepёr tek problemet e ditёs dhe fare pak merren me tё ardhmen qё i pret e qё ka tё bёjё jo vetёm me ata por dhe me shoqёrinё ku jetojnё, nё tёrёsi.

Në pjesën e tretë të librit në fjalë autori trajton faktorët socialë duke u ndalur tek popullsia dhe aftësitë apo mundësitë mendore të popujve të ndryshëm. “Nuk ka shoqёri, citon autori Fernand Braudel-in, qё tё ketё tё gjitha rajonet apo dhe pjesёt e popullsisё tё zhvilluara njёlloj”.

Shtjellimet që bën autori në këtë pjesë janë dhe si rrjedhime të faktorëve të mëparshëm, sidomos atyre kulturorë. Por jo vetëm i atyre, po dhe i traditave shekullore që ka çdo popull, duke nisur nga e kaluara e deri në ditët tona.  Fati ynë qe i tillë që gjatë historisë, falë pozicionit tonë gjeografik, kemi qënë përherë nën kërcënimin e pushtimeve apo dhe të përdorurit të truallit tonë si fushë beteje për luftërat e të tjerëve. Kjo e ka minimizuar shumë kohën e vlefshme për t’u marrë me veten.

Mjafton të kujtojmë këtu se vetëm nga fundi i shekullit të 19-të arritëm të hapim shkolla në gjuhën tonë e të botojmë gjithashtu librat e parë shqip.(mos pandehni se harrova që “Meshari” qe botuar shekuj më parë, por është fjala për botime masive e shkollore). Ne vërtet kishim të trashëguar vlera shpirtërore, si besa, mikpritja, respekti për besimet e të tjerëve etj. Por, pak jemi marrë për të kultivuar në brezat e rinj shpirtin e biznesit, përpjekjet për të fituar e mbrojtur të drejtat më elementare njerëzore etj.. Sistemi që lamë pas u përpoq të krijonte të ashtuquajturin “njeri i ri”, si në inkubator, që s’i duhej kërkujt, as vetvete.

Në pjesën e katërt autori shtjellon faktorët politikë duke u ndalur tek roli i institucioneve politike, tek vetë politika e pluralizmi dhe tek shteti i mirëqënies. Në këtë pikë ne kemi aq shumë për të folur, por nuk na lejon koha e hapësira e këtij shkrimi. Nuk po flasim për shtetin e Diktaturës, megjithëse formalisht ai qe konsoliduar, ecte, si të thuash. Por, me pluralizmin, ne iu vumë dërrmën institucioneve sa që sot e kë vështirë të flasësh qoftë edhe një fjalë të mirë për to. Tek kjo pjesë e librit e gjen veten sidomos populli ynë me atë klasë të papërgjeshme që ka, me përdorimin e babëzitur që iu bëri institucioneve për tu vetëpasuruar, duke e katandisur shumicën e popullit në këtë gjendje të mjerueshme.

Nëse ka një faktor që ne zëmë vendin e parë, në sensin negativ, janë pikërisht instutuciuonet, është politika dhe i shumëprituri pluralizëm që nuk e menaxhuam dot ashtu si të tjerët. Partitë tona politike krahasohen shpesh me grupe oligarqike apo dhe kriminale, për nga zullumet që kanë bërë e po bëjnë dhe kjo ka një kosto të madhe.

Më duket kohë e humbur të zgjatem më shumë në këtë pikë, nga që lexuesi ballafaqohet me të përditë në media, ku gjallojnë tashmë jo më dhjetra por me qindra në mos mijëra burime informacioni si gazeta, radio, televizione e portale të lloj-llojshme, sa që e ke vështirë se ku të ndalesh. Por, nuk mund të rri pa theksuar se, për mendimin tim, politika dhe poltikanët kanë qënë e mbeten faktorët kryesorë të mjerimit tonë, që nga themelimi i shtetit e deri në ditët tona.

Shumë nga ata që janë shokuar, befasuar apo dhe hutuar nga pabarazitë e mëdha që ekzistojnë në mes individëve, grupeve sociale apo kombeve, janë përpjekur të gjejnë  ndonjë faktor kyç, të vetëm, si ata gjenetikë, shfrytëzues etj. për të shpjeguar pse disa janë kaq të pasur e të tjerët shumë të varfër. Siç shtjellohen në libër, faktorët janë kompleksë. Shumë nga këta individë, grupe sociale e kombe që përballen tani me këtë gjendje dhe shohin të tjerët që janë tepër përpara, tërheq vëmendjen autori, duhet të kuptojnë se faktorët që i kanë çuar në këtë gjendje nuk janë të sotëm por i kanë rrënjët dhjetra apo dhe qindra vjet përpara. Mjafton të kujtojmë, shton ai, Skocinë e shekullit të 18-të apo Japoninë e shekullit 19-të, për t’u bindur për këtë.

Në pjesën e pestë autori jep përfundimet që dalin nga gjithë sa u tha në pjesët e mëparshme. Jo rastëisht, thekson ai, nё kohё tё caktuara kanё lulёzuar vende tё ndryshme si Singapori, Hong Kongu e Koreja e Jugut, nё shekullin e kaluar. Kjo ka të bëjë pikërisht me ata faktorë që përmëndëm më lart e që iu ka mundësuar këtyre popujve të realizojnë hope cilësore. Mbi të gjitha, kjo iu dedikohet liderve politikë të këtyre vëndeve që ditën të kuptojnë kohën e t’iu krijojnë mundësi të rinjve për të çarë me sukses në biznes, teknologji, shkencë, art e kudo.

Ai nuk merret me politikat që propozohen për t’i dhënë fund varfërisë e për të zvogëluar hendeqet mes të pasurve e të varfërve, përmes thirrjeve humane e iniciativave bamirëse, që i gjen me bollëk në botimet që trajtojnë temat e mësipërme por, pasi tregon shkaqet e gjendjes aktuale hedh vështrimin tek rrugët që duhen ndjekur për të dalë nga kjo gjendje.

Qëllimet humanitare të këtyre propozimeve politike, thotë autori, janë shumë të rëndësishme, por pikërisht se janë kaq të rëndësishme, është vendimtare që këto sugjerime të bazohen në të kuptuarit e fakteve aktuale lidhur me shkaqet dhe pasojat e kësaj pabarazije ekonomike. Ai edhe njëherë përsërit përgjegjësitë e politikanëve vendim-marrës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>